Kryeministri Edi Rama thotë se listat e mbyllura do të shërbejnë si një instrument për të hapur PS. Gjatë komunikimit në rubrikën “Sy m’sy”, kreu i qeverisë përmendi disa shembuj që sipas të cilit kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në vend, por nëse do të ishin në listën e hapur, do ta kishin të vështirë për të ecur më tutje.
Më tej, duke u ndalur te Vlora, Rama tha se në këtë qark është përmbysur e gjithë lista për të dhënë mesazhin se “PS nuk është e jona, por e juaja”. Ai nuk kurseu edhe ironinë për opozitën, teksa tha se në listat e PS nuk ka persona si te “këneta”, apo që shajnë si tifozë për një person që ata duan që të vijë në pushtet.
“Listat e mbyllura i kemi shfrytëzuar për të hapur partinë, për ta bërë hapjen brutale në sensin që nëse kapacitetet e brendshme në territor nga pikëpamja e qasjes organizative janë të tilla që e pengojnë hapjen, atëherë duhet ta imponojmë në një moment kyç duke iu dhënë mundësi të rinjve e të rejave që përndryshe nuk do të hynin dot. Këto kam dy shembuj, neomalësorja, Marjana, e kam njohur se e kam pasur të ftuar në podcast, ka lindur dhe është rritur në vend periferik në Malësinë e Dukagjinit dhe vetë me guxim dhe ambicie ka marrë rrugët e botës dhe ka studiuar shkenca politike. Pasi është kthyer te vendi vet. Një shtëpi të varfër e ka kthyer në një destinacion turistik të jashtëzakonshëm dhe është bërë simbol i Shqipërisë turistike duke sjellë atje të huajt. U qas ndaj platformës dhe nëse do të ishte në listën e hapur, do ta kishte të vështirë. Nëse dikush ka pasur një mandat, jo vetëm që do të ishte i sigurt, nuk do të punonte për Marjanën me zellin e vet. Edhe Edona Bilali, e cila erdhi si deputete e para në Shkodër me këtë insistim. PS duhet të jetë një instrument, jo qëllim në vetvete, instrument në duart e atyre që janë brenda po edhe të atyre që janë jashtë.
Bilali ka qenë e gatshme të jetë në listën e hapur por është shprehur në një mënyrë që do të kisha pasur dëshirë të shpreheshin të gjithë me vokacion dhe bindjen se ka kohë për të marrë dhe për të dhënë. Dhe është në listën e hapur të Shkodrës. Një person tjetër që ka vite të tëra në krye të punëve, deputet prej disa kohësh, ka qenë kryetar i bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi ka shprehur gatishmërinë që jo të jetë në listën e hapur, por edhe të mos jetë fare. PS ka qëllim qe të bëjë Shqipërinë, me shqiptarët dhe për shqiptarët. Një shembull tjetër është Vlora. Maksimumi që unë besoj që meritojmë dhe që vlonjatët e jepnin nëse do t’u jepnim atyre një ofertë që nuk iu sjell në mendje mbyllje, partinë e mbyllur dhe të disave që kthehet në një shëmbëlltyrë të një klubi të privilegjuarish. Prandaj në Vlorë e kemi përmbysur komplet listën, për të dhënë një ofertë më të prekshme dhe për të dhënë mesazh që kjo parti nuk është e jona, por edhe e juaja.
Në Vlorë një tjetër shëmbëlltyrë e kësaj përpjekjeje që lista e mbyllur të jetë instrument i partisë së hapur, është Erjona Ismaili, me të cilën jam njohur në një konflikt në telefon. Kur u përmbyt Vlora. Kishte një ankesë. Një kokëshkëmb. Unë nuk e kam më pak shkëmbore kokën dhe u përplasëm. Më bëri shumë përshtypje sepse se, sipas meje, kishte të drejtë, nuk fliste si një person që ankohej në mënyrë banale, por që dukej se kishte një angazhim. Më pas u interesova kush është ky njeri. Ishte e angazhuar me shoqërinë civile dhe kështu dhashë një indikacion që shikojeni këtë profil. Pashë se nuk kishte dëshirë, se jo po është e çmendur. Këta njerëz të cilët e besojnë se gjërat mund të bëhen më mirë, që nuk janë në kundërshti negative kënetore, nuk janë kënetë, njerëz që shajnë si tifozë sepse duan pushtetin për disa të tjerë, dhe as për veten e vet. Nuk e kuptoj se çfarë domethënë kur dikush thotë nuk ke ku me i marrë paret ti se i ke harxhuar.”, u shpreh Rama./abcnews.al