Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, bën me dije emrat e lojtarëve, që do të grumbullojë në dy miqësoret e radhës. Jashtë ekipit mbetet Armando Sadiku, ndërsa debuton, sulmuesi kryesor i Superligës, Sidrit Guri.
Sulmuesi kryesor mbetet jashtë.
Armando Sadiku nuk është preferuar nga trajneri Kristian Panuçi për dy ndeshjet e radhës të kombëtares, miqësoret ndaj Kosovës dhe Ukrainës.
Golshënuesi më i mirë sot për sot duket se po vuan pasojat e aktivizimit të paktë tek Levante në Spanjë, por edhe faktin që Panuçi kërkon të provojë lojtarë të tjerë, përveç atyre që njeh.
Njeriu kryesor nën vëmendje është Sidrit Guri, sulmuesi i Kukësit dhe shënuesi më i mirë i Superligës këtë sezon, i thirrur për herë të parë në ekipin përfaqësues.
Po ashtu, debutues në grumbullim do të jetë Egzon Binaku I Malmos, një mbrojtës krahu që shpresohët të jetë pasardhës i Ansi Agollit.
Në kombëtare kthehen Armando Vajushi e Rei Manaj, që të dy në sulm.
Mungesat janë të shumta, me disa prej lojtarëve të dëmtuar si Xhaka, Memushaj, apo Abrashi por po ashtu edhe Llullaku, Lila dhe Aliji.
Panuçi do të thërrasë gjithsej 24 lojtarë për ndeshjet që luhen në 29 maj ndaj Kosovës në Zvicër, dhe në 3 qershor ndaj Ukrainës në Evian të Francës.
Këto do të jenë disa nga provat e fundit para fillimit të takimeve eleminatore të Europianit si dhe të Ligës së Kombeve të Europës.
Grumbullimi dhe përgatitja e kombëtares do të bëhet pikërisht në Zvicër. /abcnews.al