Liruan Lulzim Cakën përpara afatit, arrestohet Drejtori i Burgut të Lushnjes

schedule10:30 - 30 Korrik, 2019

schedule 10:30 - 30 Korrik, 2019

 

Lirimi para kohe i të dënuarit për vrasje Lulzim Caka, i njohur ndryshe si i “forti i Beratit” ka shkaktuar tërmet në institucionit e vuajtjes së dënimit në Lushnjë. Drejtori i Burgut të Lushnjes, Judmir Shurdhi bashkë e vartësin e tij përfunduan në pranga, pasi nuk kishin llogaritur mirë dënimin për Cakën, i cili duhet të qëndronte në qeli edhe 4 muaj e 22 ditë. Ministrja Gjonaj kërkoj nga policia arrestimin e të dënuarit.

Vendin e qelisë pas lirimit të parakohshëm nga burgu i të fortit të Beratit Lulzim Caka, e zuri drejtori i institucionit të Vuajtjes së Dënimit në Lushnje, Judmir Shurdhi.

Skandalin e bëri publik ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj gjatë një deklarate për mediat, duke shtuar se, Caka ishte liruar 4 muaj e 22 ditë para kohe, ndërsa vuante një dënim prej 25 vitesh burg.

“Në përfundim të këtyre hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Lulzim Caka është liruar nga IEVP-Lushnjë 4 muaj e 22 ditë përpara shlyerjes së plotë të dënimit, për shkak të përllogaritjes në mënyrë të gabuar nga ana e kartelistit të IEVP Lushnjë dhe lëshimit të urdhrit të lirimit në mënyrë të kundraligjshme nga Drejtori i IEVP Lushnjë. Si rezultat i shkeljeve të evidentuara, në orët e para të mëngjesit, Shërbimi i kontrollit të brendshëm të burgjeve kreu arrestimin në flagrancë të:
1. Judmir Shurdhi me detyrë Drejtor i IEVP-Lushnjë. 2. Llazar Mino, me detyrë kartelist pranë IEVP Lushnjë. Ata akuzohen se kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të Detyrës” parashikuar nga Neni 248 i Kodit Penal dhe “Falsifikim të dokumenteve” parashikuar nga neni 186 /3 i Kodit Penal. Materialet i janë referuar menjëherë Prokurorisë së Rrethit gjyqësor Elbasan. Po gjithashtu kam urdhëruar shkarkimin e menjëhershëm të dy punonjësve të përfshirë në këtë ngjarje”, deklaroi Gjonaj.

Ministja Gjonaj nuk u ndal me kaq. Ajo ka njoftuar Policinë e Shtetit, të bëj të mundur kapjen dhe kthimin në qeli të Lulzim Cakës për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

“Nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve është njoftuar menjëherë Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Policia e Shtetit për revokimin e lirimit të të dënuarit Lulzim Caka dhe shpalljen e tij në kërkim për ta rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Po sot kam urdhëruar, ngritjen e një grupi hetimi për verifikimin e të gjitha dosjeve dhe dokumentacionit përkatës në rastet e lirimit të të dënuarve në të gjitha Institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale. Qeveria dhe personalisht unë si Ministre e Drejtësisë jam e vendosur që të mos bëj asnjë lëshim dhe të vendos përpara përgjegjësisë këdo që shkel ligjin pasi gur i themelimit në mbarëvajtjen e organeve ligjzbatuese është zbatimi në mënyrë rigoroze e ligjit dhe administrimit të procesit”, theksoi Gjonaj.

Nisur nga ngjarjet e përsëritura për lirimet e parakohshme të disa të burgosurve të tjerë kohët e fundit, Gjonaj paralajmëroi se, do të nis një proces rivlerësimi për të gjithë punonjësit e institucionit të burgjeve.

“Në ditët që pasojnë do të realizoj një proces rivlerësimi për të gjithë trupën drejtuese të burgjeve dhe shefave të policisë si dhe ndërmarrjen e një procesi të ri për rekrutimin e kandidatëve profesionistë dhe me integritet, në pozicione drejtuese, detajet e së cilës do ti bëj shumë shpejt të ditura”, tha ministrja.

Luli i “tmerrshëm” siç njihet ndryshe në qytetin e tij të lindjes Berat la burgun e Fushë-Kosovës në Lushnjë në orën 10 të së hënës. Ai është njëri nga personazhet më të njohur të botës së krimit gjatë viteve 1997-1999. Lulzim Caka u soll në Shqipëri me nje marreveshje ekstradimi me Italinë në vitin 2003, dhe pas 16 viteve kalvaresh gjyqësore tashmë konsiderohen të shlyera 25 vitet e dënimit për të. Prokuroria e Beratit e ka akuzuar për disa vrasje me dashje si edhe për një ngjarje në të cilen ai akuzohet se sulmoi postbllokun e policisë, ku gjatë një aksioni për arrestimin e tij në vitin 1998, Caka qëlloi me armë në drejtim të policisë. Operacioni në terren, në fshatin Rërëz të Beratit, drejtohej nga Drejtori e Policisë së asaj kohe Vasfi Cama, nëndrejtori Gani Malushi, shefi i komisariatit Ilir Ngresi dhe shefi i krimeve A. Frasheri.

Lul Caka siç thërritet ndryshe nga miqtë e tij,  i shpetoi burgosjes së përjetshme falë mbrojtjes së mirë. Në fillim ishte gjykata e Lertë ajo që riktheu edhe njëhërë dosjen për rishikim-vendimi në Apel. Më tej edhe Gjykata Kushtetuese ka vepruar në të njëjtën mënyrë, pasi vendimi ndaj Cakës ishte dhënë në mungesë dhe ai nuk ishte përfaqesuar me avokat mbrojtës./ABC News Albania 24/7