Lirohen tre protestuesit e opozitës në Fier

schedule18:24 - 13 Mars, 2019

schedule 18:24 - 13 Mars, 2019

Gjykata e Fierit liroi nga qelia 3 persona të ndaluar pas protestës së opozitës në fundjavë në Fier, mes tyre edhe 56-vjeçarin që akuzohet se plagosi me sende të forta një efektiv të FNSH-së.

Policia  e Shtetit reagoi duke e quajtur skandaloz vendimin e gjyqtarit Pirro Sota dhe paralajmëroi padi penale ndaj tij. Tre protestuesit që u ndaluan pas përplasjes me policinë e Fierit në protestën e të shtunës së kaluar, janë lënë të lirë.

Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Pëllumb Isufajn, i cili akuzohet se goditi një polic të FNSH me gur duke e lënë të plagosur.

Për Enkeled Kafranin dhe Vladimit Zykajn u dha masa detyrim paraqitje.

Gjyqtari Pirro Sota shqyrtoi me kërkesë të avokatit mbrojtës të Pellumb Isufaj disa pamje filmike dhe doli në përfundimin se ai nuk ka qëlluar me gurë drejt policisë duke e lënë në “arrest shtëpie” inspektorin e mjedisit. Seanca ndaj tyre zgjati rreth dy orë. Pak minuta më vonë Policia e Shtetit reagoi për vendimin me anë të një njoftimi për shtyp.

“Policia e Shtetit nuk mund të pajtohet me vendime skandaloze të ndonjë gjyqtari të papërgjegjshëm, vendime të cilat jo rrallë herë kanë lënë të pandëshkuar jo vetëm autorët e plagosjeve ndaj policëve, si rasti aktual i Fierit, por edhe vrasësit e tyre”,- thuhet në njoftim.

Ndaj do të ndërmerren të gjitha masat ligjore për të vënë përpara drejtësisë bashkëpunëtorët e krimit.  Për këtë rast Policia e Shtetit  do të depozitojë padi penale ndaj gjyqtarit Pirro Sota. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!