Lirimi i Lul Berishës dhe roli i Dakos, shmanget Gjonaj: Ky rast ishte para se të bëhesha ministre

schedule20:17 - 3 Mars, 2021

schedule 20:17 - 3 Mars, 2021

Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, e cila pritet që të udhëheqë listën e PS-së në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 25 prillit, e ftuar mbrëmjen e sotme në Radarin Informativ në ABC përballë gazetares Jonida Shehu u ndal mes shumë cështjeve edhe te arrestimi i gjyqtares së Krujës, Enkelejda Hoxha për përfshirje në një skemë korrupsioni për lirimin e të dënuarve me rrezikshmëri të lartë. “E para e kam kallëzuar unë gjyqtaren, drejtorin e shërbimit të provës në Krujë dhe një sërë punonjësish” tha Gjonaj.

Por kur u pyet nëse e ka ngritur shqetësimin edhe për rastin e lirimit me kusht të Lulzim Berishës, ku dosjes së tij i shërbeu edhe një letër e firmosur nga Vangjush Dako, asokohe në krye të bashkisë së Durrësit, ministrja tha se ky rast ishte përpara se të merrte detyrën.

Unë kam ngritur shqetësimin si në cdo lloj rasti, ky ka qenë  një rast më parë se të merrja detyrën si ministre Drejtësie. Janë 5 mijë subjekte në burgje, për të mos folur për ata që kemi marrëdhëniet ndërgjyqësore me shtetet e tjera.

Do të ishte e pamundur të flas me emra konkretë, por në të gjitha rastet ministria e Drejtësisë ka reaguar duke kallëzuar të gjithë zinxhirin. Dako? Kam përshtypjen  se është një rast para se të merrja pozicionin ministre Drejtësie” tha ajo.

Lidhur me rastin e arrestimit të gjyqtares Enkelejda Hoxha, e pyetur se si shpjegohet që nuk pati prangosje brenda sistemit, Gjonaj tha “T’ia lëmë organit hetimor, përsa është në hetim duhet të presim dhe respektojmë procesin që kryen SPAK”.

Departamenti Amerikan i Shtetit nuk i njohu asnjë progres Shqipërisë në luftën kundër pastrimit të parave. Në raportin më të fundit thotë se qeveria nuk bëri përparim të dukshëm, dhe se në vendin tonë vazhdon pastrimi i pasurisë së krimit

Nuk është se ishte rezultati më i mirë që morëm, nëse bëhet një krahasim edhe sukseseve dhe përmirësimeve, por është një notë e kalueshme, do të duhet që me ngritjen e SPAK të kemi disa rezultate konkrete.

Ka pasur disa mangësi ligjore, janë kërkuar nga MANIVAL, kemi krijuar një sërë mekanizmash për monitorimin e llogarive bankare. Besoj se me funksionimin e SPAK do të arrijmë rezultatet e pritura nga DASH” tha Gjonaj./ db/ Abcnews.al