Liria e medias në Shqipëri, Fuga: Problematike, liria e shprehjes dhe informacionit

schedule17:10 - 3 Maj, 2019

schedule 17:10 - 3 Maj, 2019

Në ditën ndërkombëtare të lirisë së medias Prof. Dr. Artan Fuga dhe dekani i Fakultetit të Gazetarisë dhe Komunikimit në Francën jugore Alexandre Joux, theksuan në një intervistë për ABC News, dallimin mes lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.

Lirinë e medias në vend, profesor doktor Artan Fuga, në krahasimin me të shkuarën edhe pse e sheh në zhvillim pozitiv, paralelisht i njeh vështirësi dhe probleme, pikërisht në dallimin mes lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes.

“Media mund te ketë lirinë të thotë atë që dëshiron apo atë që ka linjë editoriale të vet, por problemi është tek liria e shprehjes dhe liria e shprehjes është liria e qytetarit”, tha ai.

I një mendimi është edhe dekani i fakultetit të Gazetarisë dhe Komunikimit në universitetin e Francës Jugore, Alexandre Joux.

“Ne mund te themi se mediat janë të lira në Francë, por çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se nëse je në demokraci, minoriteti mund të jetë mazhoranca e së ardhmes, ndaj nevoja që të kenë hapësirën e tyre në debatin publik, për të shpjeguar zgjedhjet e tyre, edhe pse në minorancë,është e domosdoshme”, tha ai.

Është ky rregulli i artë i gazetarisë franceze sipas Joux, i cili matjen e lirisë së medias në demokraci e vendos paralel me lirinë e minoriteteve. Sa i përket mediave në vend…

“Nuk them se ka një censurim por zëri i qytetarit pothuajse është i munguar në mediat shqiptare dhe hapësirën politike dhe qytetari shqiptar sot në rastin më flagrant proteston në rrugë në manifestime turmash kurse si individ nuk ka shprehje”, tha Fuga.

Dallimi i dytë për Artan Fugën vjen mes lirisë së medias dhe lirisë së informacionit.

“Media nuk ka censurë politike dhe juridike, komunikon atë që mendon, por informacioni është shumë i politizuar dhe i futur në ambalazh shumë propagandistik. Kërkimi i informacionit nga gazetari është në nivele të ulëta dhe ne më shumë kemi gazetari të deklarimit”, tha Fuga.

Presion, i cili ndodh edhe në shtetin Francez. Por për Alexandre Joux profesioni mbizotëron.

“Ne kemi presione por çfarëdo që ndodh kemi edhe gazetarë që e marrin rrezikun të mos e pranojnë këtë lloj presioni. Çfarëdo që të ndodhë do ketë presion nga fuqi politike dhe ekonomike. Por rruga është të mos e pranosh këtë presion dhe të jesh i lirë edhe ndaj është me rëndësi që liria e shprehjes të jetë e drejtë kushtetuese”, tha ai.

Ekzistenca e diversitetit në mediat franceze bën edhe balancën e presionit të pushtetit, që në Shqipëri vjen në dy forma, si shpjegon akademiku Artan Fuga, përmes ndikimit në linjën editoriale, por edhe presionit direkt mbi gazetarët.

“Unë e konsideroj si presion direkt që i bëhet gazetarit sidomos kur gazetarët si kategori sociale anatemohen dhe quhem me emra të caktuar, si për shembull Kadri, Kadrinjtë sepse kjo është një lloj presioni moral dhe psikologjik. Ne nga pikëpamja pronësore kemi media të pavarura, por nga përmbajtja nuk kemi ende media të pavarura. Ky është një problem që duhet ta njohim dhe ta pranojmë ashtu siç është”, tha ai.

Për këtë, lindjen e një numri të madh të portaleve online dhe formave të tjera elektronike të përçimit të informacionit, Artan Fuga e sheh si trendin emancipues që fuqizon qytetarin dhe zgjeron informacionin në mënyrë pozitive./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!