Liqeni i Fierzës ndodhet në kuotën e tij maksimale për shkak të reshjeve gjatë muajit Qershor. Ndërkohë në këtë periudhë një vit më parë, liqeni arriti pikën kritike të tij.
Liqeni i Fierzës është në kuotën e tij maksimale. E pazakontë për një fund Qershori. Në këtë periudhë një vit më parë arriti në pikën kritike, 274 metra mbi nivelin e detit, ku diskutohej edhe prodhimi i energjisë.
Prej katër muajsh ka qëndruar në 296 metra, me luhatje të pandjeshme plus-minus 50 centimetra. Veç pamjes së rrallë qe i ka dhënë zonës përreth Kukësit, ka qenë një ndër periudhat më optimale për Koorporatën Elektroenergjitike shqiptare.
Rezervat e bollshme hidrike kanë lejuar Fierzën, por edhe dy HEC-et e tjera të kaskadës, Komanin dhe Vaun e Dejës të punojnë me kapacitet të plotë.
Prurjet e fundit janë pak më shumë se 850 metër kub uje në sekondë, të mjaftueshme për të ruajtur balancën mes sasisë së ujit që del nga katër turbinat që prodhojnë energji elektrike dhe sasisë së prurjeve që shkarkohen në liqenin e Fierzës./abcnews.al