Lionel Mesi duket se nuk mund të pengohet as nga dëmtimet në arritjen e objektivave të sezonit. Ylli I Barcelonës shënoi 3 gola në ndeshjen e fundit të kampionatit, duke barazuar edhe dy rekorde
Të mendosh se ky lojtar edhe mund të mos kishte qenë fare në fushë.
Pasi u ndje më mirë, dhe pasi trajneri i tij vendosi ta aktivizonte, Lionel Mesi bëri atë që është normale për të.
Shënoi një tjetër gol për Barcelonën.
Ndihmoi ekipin të fitonte ndaj Leganjesit në ligën spanjolle, duke afruar edhe më shumë titullin, dhe duke bërë të harrohej fakti që katalanasit nuk po shkëlqejnë aspak këto kohë.
Goli nga goditja e dënimit ishte i gjashti në La Liga, hera e parë që një lojtar e bën që nga koha e Ronaldinjos në vitin 2007, dhe e shtata në sezon bashkë me atë të Championsit.
Në total, argjentinasi ka shënuar 41 herë nga goditja e dënimit, duke qenë edhe prapa Ronaldos që ka 51 rrjeta të tilla në karrierë.
Gjithsesi, Leo është më i ri dhe ka kohë të afrohet.
Numri 10 shënoi tri herë kundër Leganjesit, në ndeshjen që përfundoi 3-1 dhe në të cilën Barcelona barazoi rekordin e Real Sociedadit, me 38 takime radhazi pa humbje në kampionatin spanjoll.
Jo vetëm kaq, por ai barazoi yllin e Liverpulit, Mohamed Salah, në garën për Këpucën e Artë të Europës, duke pasur secili nga 29 gola në kampionatet përkatëse.
Gjithsesi, tifozët katalanas janë disi të shqetësuar sepse Mesi ka pasur probleme fizike këto kohë, ndërsa ata duan që ai të jetë në fushë sidomos në ndeshjet e Ligës së Kampionëve.
Trajneri i Barcelonës, Valverde, iu përgjigj kështu këtij shqetësimi, pas ndeshjes.
Valverde: “Mendojmë që Mesi është mirë fizikisht. Ka pasur probleme, por për momentin duket mirë. Gjykuam se ishte më mirë që ai të ishte aktiv, pra të luante. Mesi e tregoi me 3 golat që shënoi se nuk ka asnjë shqetësim, dhe luajti atë ndeshje që e patë të gjithë. Gjithsesi, gjendjen e tij do ta vlerësojmë çdo ditë”.
Vetë ylli argjentinas duket se po kujdeset siç duhet për veten.
Ai mungoi në dy miqësoret e Argjentinës, dhe luajti vetëm në pjesën e dytë në sfidën e kampionatit ndaj Seviljes.
Me talentin dhe përvojën, Mesi duket se ka besim se do të arrijë edhe objektivat me klubin, fitoren e La Ligës, të Championsit e të Kupës së Mbretit, por edhe objektivat individualë.
Ai lufton edhe për Këpucën e Artë në Spanjë, garë në të cilën ka lënë prapa Ronaldon e Suarezin, por edhe për titullin e golshënuesit më të mirë të sezonit në Europë.
Deri tani, ai ka realizuar 39 rrjeta në të gjithë konkurrimet, po aq sa Ronaldo, dhe një më shumë se Salah. /abcnews.al