Lika: Kemi skuadër më të mirë se Teuta, duam Kupën. Dedja? Shkodra e respekton

schedule13:57 - 10 Qershor, 2020

schedule 13:57 - 10 Qershor, 2020

Vllaznia rikthehet nesër në fushë, kësaj radhës për Kupën e Shqipërisë. Klubi shkodran ka zgjedhur trajnerin e ri dhe Hysen Dedja do e nisë kundër Teutës. Sfida e parë çerekfinale do të luhet të enjten, duke nisur nga ora 17:00, ndërsa ajo e kthimit pas dy javësh në Durrës.

Kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika flet për tema të ndryshme, duke nisur nga humbja 5-2 në Laç dhe ardhja e trajnerit të ri. Sulmuesi thekson se skuadra e tij është më e fortë se bregdetarët e Edi Martinit dhe dëshiron t’i shkojë deri në fund kompeticionit të Kupës.

REAGIMI – “Nuk është momenti për të folur për të ardhmen, vetëm duhet të reagojmë ndryshe nga ndeshja në Laç. Nuk luajtëm keq, shënuam dy herë dhe krijuam 3-4 raste të pastra për gol në një fushë shumë të vështirë. Pesë golat e pësuar janë skandalozë”.

TEUTA – “Dihet që është një ndeshje e vështirë, Teuta është ekip i mirë dhe duhet vlerësuar. Kemi pretendimet tona për fitore”.

DEDJA – “E kemi pritur mirë trajnerin e ri, pasi dihet kontributi që ka dhënë për Vllazninë. Sigurisht që ka respektin tim, tonin dhe të gjithë Shkodrës. Duhet të kemi rezultate të mira dhe të kënaqim qytetin”.

E ARDHMJA – “Jam lodhur me këtë pjesë, sepse njerëzit kanë mbetur duke më thënë vazhdimisht këtë. Në futboll sot nuk ka moshë, por nëse je apo jo në fushë”.

KUPA – “Çdo ekip ka pretendimet e veta, Teuta gjithashtu. Ne duam Kupën, besoj se kemi ekip më të mirë se Durrësi. Nuk kam qejf të bëj batuta me Edi Martinin. Ka detyrë profesionale të bëjë detyrën e tij. Nuk i trembemi askujt, këtë vit kemi treguar se jemi të barabartë me rivalët”.

RIVALITETI –  “Ju e shikoni vetë se renditja e këtij viti të lejon çdo gjë. Ti je afër me Evropën por edhe me play-out sepse pikët të lejojnë. Nëse japim maksimumin dhe jemi të përqendruar mund t’ia dalim, jo si në ndeshjen me Laçin”.

FORMA – “Ekipi ka mangësi në përgatitjet fizike, por me kalimin e ditëve çdo lojtar do jetë më mirë nga ky aspekt. Të fitojmë për profesorin e ri, për vete dhe për Shkodrën”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!