Lija e majmunëve, vendet ku është identifikuar deri më tani sëmundja afrikane

schedule12:15 - 20 Maj, 2022

schedule 12:15 - 20 Maj, 2022

Rastet e lisë së majmunëve janë identifikuar në vendet europiane dhe amerikane, duke u dhënë autoriteteve shëndetësore një arsye tjetër për t’u shqetësuar në mes të pandemisë Covid-19. Ndërsa zyrtarët shëndetësorë po monitorojnë përparimin e rasteve, shpërthimi i sëmundjes është befasues pasi deri më tani nuk ishin raportuar të infektuar jashtë vendeve të Afrikës, sipas BBC.

Sëmundja tani duket se po përhapet tek njerëzit që nuk kanë udhëtuar në Afrikë dhe rastet janë zbuluar kryesisht tek të rinjtë homoseksuale dhe biseksualë. Shumica e rasteve njerëzore janë regjistruar në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, ku sëmundja është endemike.

Por në cilat vende është përhapur sëmundja deri më tani?

Rastet e lisë së majmunit po hetohen në vendet europiane, si dhe në SHBA, Kanada dhe Australi, sipas autoriteteve shëndetësore dhe raporteve të mediave lokale. Rastet e fundit u raportuan në Francë, Itali, Suedi dhe Australi.

Spanja dhe Portugalia janë dy vendet e para që janë raportuar të infektuarit e parë, ndërkohë që Kanadaja po heton 13 raste. Lija e majmunëve është më e zakonshme në zonat e Afrikës Qendrore dhe Perëndimore, raporton abcnews.al

Lija e majmunëve është një infeksion i rrallë viral, i cili zakonisht është i lehtë dhe nga i cili shumica e njerëzve shërohen brenda disa javësh, sipas Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të Mbretërisë së Bashkuar .

Virusi nuk përhapet lehtë midis njerëzve dhe rreziku për publikun e gjerë thuhet të jetë shumë i ulët. Rasti i parë i sëmundjes në Mbretërinë e Bashkuar u raportua më 7 maj. Pacienti kohët e fundit kishte udhëtuar në Nigeri, ku besohet se ishte infektuar me virusin përpara se të udhëtonte në Angli, tha Agjencia e Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar.

Tani Mbretëria e Bashkuar ka raportuar 9 raste. Australia raportoi të premten rastin e parë të dyshuar, në një burrë që u sëmur pasi u kthye nga një udhëtim në Europë. Suedia dhe Italia raportuan rastin e parë, ndërsa në Francë raportohet për një rast të dyshuar.

Autoritetet suedeze thanë se nuk ishin të sigurt se si individi ishte infektuar me virusin, por mediat lokale raportojnë se individi në Itali ishte kthyer së fundmi nga Ishujt Kanarie. Pesë raste  u raportuan gjithashtu në Portugali të mërkurën, si dhe shtatë në Spanjë, raporton abcnews.al.

Megjithëse asnjë vaksinë nuk është miratuar për linë e majmunit në Europë, autoritetet shëndetësore spanjolle thuhet se kanë blerë mijëra vaksina kundër lisë për të mbajtur në kontroll shpëthimin, sipas gazetës spanjolle El País.

Në Amerikën e Veriut, autoritetet shëndetësore në shtetin amerikan të Massachusetts konfirmuan gjithashtu rastin e parë. I infektuari ishte një burrë që kishte udhëtuar në Kanada.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë, burri është shtruar në spital, është në “gjendje të mirë” dhe “nuk paraqet rrezik për publikun”.

Sëmundja u identifikua për herë të parë nga shkencëtarët në vitin 1958, kur pati dy shpërthime të një sëmundjeje “të ngjashme me linë” , në majmunët që përdoreshin për hulumtime. Infeksioni i parë të njerëzit u regjistrua në vitin 1970, te një djalë nëntë vjeçar në Kongo.

Simptomat e sëmundjes përfshijnë temperaturë, dhimbje muskulore, ënjtje të nyjeve limfatike, të dridhura, lodhje dhe skuqje në duar dhe fytyrë.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!