Ligjvënësit amerikanë kërkojnë sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë

schedule17:36 - 4 Mars, 2022

schedule 17:36 - 4 Mars, 2022

Njoftimi i Presidentit Joe Biden se Shtetet e Bashkuara po marrin masa ndaj oligarkëve rusë dhe po mbyllin hapësirën ajrore për avionët rusë në përgjigje të sulmit ndaj Ukrainës, u prit me vlerësim nga ligjvënësit demokratë. Por, disa republikanë dëshirojnë të ndërmerren masa edhe më të ashpra. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Katherine Gypson, Kongresi i Shteteve të Bashkuara po përpiqet të reagojë ndaj krizës në Evropë.

Ndërsa autokolona ruse po rrethon Kievin dhe qindra mijëra ukrainas po i largohen vendit, në Uashington ka një ndjesi të shtuar urgjence. Ligjvënësit thonë se bombardimi i zonave me civilë nga forcat ruse po i shtyn të ndërmarrin masa të reja.

“Ka ardhur koha ta nxjerrim krejtësisht jashtë funksionimit ekonominë ruse dhe të bëjmë më shumë për të ndihmuar për mbrojtjen e Ukrainës”, tha senatori republikan Jim Risch.

Përpara sulmit, ligjvënësit amerikanë kishin vështirësi të arrinin kompromisin për sanksione dypartiake, duke ia lënë kështu iniciativën në dorë Shtëpisë së Bardhë për vendosjen e sanksioneve financiare ndaj Rusisë nëpërmjet urdhërave ekzekutivë.

“Dua ta përshëndes presidentin për punën që bëri me aleatët tanë për të dalë në një front të përbashkët kundër Putinit. Nëse (Putini) ka patur qëllimin të përçante NATO-n dhe Perëndimin, ai në fakt i ka bashkuar edhe më tej për sa i përket angazhimit ndaj sovranitetit, demokracisë dhe paqes”, tha Nancy Pelosi, Kryetare e Dhomës së Përfaqësuesve.

Disa republikanë e kanë kritikuar Presidentin Biden se nuk është treguar i ashpër sa ç’duhet me Kremlinin për të parandaluar krizën. Por ekziston një unitet dypartiak për të miratuar një paketë sanksionesh. Senatori republikan, Lindsey Graham, bëri thirrje që Presidenti Putin dhe anëtarët e kabinetit të tij qeveritar të akuzohen për krime lufte.

“Gjëja me efikase që mund të bëjmë është që t’ua bëjmë të ditur gjeneralëve në ushtrinë ruse se po i ndjekin urdhërat e Putinit duke rrezikuar veten. 161 persona u akuzuan për konfliktet në Ballkan, nga individë privatë dhe deri tek kryeministra dhe gjeneralë. Dua që bota të bashkohet rreth parimit të shtetit ligjor”¸ tha Lindsey Graham, senator republikan.

Ka edhe disa propozime në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat për ndihma humanitare dhe ushtarake për Ukrainën.

“Jo vetëm me armë, jo vetëm me fonde, por edhe nëpërmjet zbulimit. Partnerët tanë mund t’i shfrytëzojnë informacionet e zbulimit për t’u mbrojtur. Duhet të kemi parasysh se në fund të fundit ata po luftojnë për lirinë e tyre. Po luftojnë për demokracinë e tyre. Pra duhet t’i ndihmojmë sa më shumë të mundemi, pa e kaluar cakun”, thotë Raja Krishnamoorthi, ligjvënës demokrat.

Anketimet e opinionit publik tregojnë se shumica e amerikanëve nuk duan të shohin forcat ushtarake të përfshira drejtpërsëdrejti në një konflikt me Rusinë në Ukrainë. Të njëjtin shqetësim e reflektojnë edhe ligjvënësit.

“Mendoj se sigurisht që do ta rëndonte situatën dërgimi i forcave në terren. Mendoj se duhet ta shqyrtojmë opsionin e vendosjes së një zone pa fluturime ajrore. E di që ka pasoja. Mendoj se Vladimir Putini do ta merrte këtë si një kërcënim madhor dhe ndoshta edhe si shpallje lufte”, tha Jodey Arrington, ligjvënës republikan.

Ligjvënësja e vetme e Kongresit të Shteteve të Bashkuara e lindur në Ukrainë është dakort.

“Nuk po shkojmë në luftë. Nuk është një vend aleat i NATO-s, kështu që nuk kemi detyrimin për ta mbrojtur bazuar tek Neni Pesë. Pra është diçka e parealizueshme. Mund të bëjmë gjëra të tjera për të cilat vazhdojmë të flasim, si krijimi ndoshta i një korridori humanitar ose i kalimit të sigurtë, që të mos vriten atje njerëzit që munden të evakuohen”, thotë Victoria Spartz, ligjvënëse republikane.

Zonja Spartz i tha Zërit të Amerikës se ka ardhur koha që Uashingtoni të mos e perceptojë më sulmin ndaj Ukrainës si një luftë, por si një gjenocid./VOA