Ligji për “tradhtarët”, Daci: Jam dakord për një ligj patriotik, por të mos ketë qëllime nacionaliste

schedule20:35 - 9 Maj, 2024

schedule 20:35 - 9 Maj, 2024

“Fredi Beleri nuk është qendra e botës dhe Bota rrotullohet rreth Belerit”, deklaroi politologu Alban Daci gjatë intervistës për emisionin “Real Story” në ABC News.

Daci u ndal te ligji për ‘tradhtarët’, ku tha se është dakord për një ligj patriotik, ndërsa shtoi se nuk duhet të ketë qëllime nacionaliste. Më tej politologu u shpreh se Kushtetuta ka një problematikë shumë të madhe, nenet kryesore nuk janë të aplikueshme në shumicën e rasteve.

“Gjithsecili ka të drejtë të mbrojë tezat e veta, por një gjë është e sigurt Beleri nuk është qendra e Botës dhe që Bota rrotullohet rreth Belerit. Duhet kurajo e madhe të mbash pozicione në favor të figurës së Belerit, por kushdo ka të drejtën e zgjedhjes së tij. Sa i përket ligjit, mendoj se Kushtetuta e Shqipërisë ka një problematikë shumë të madhe, sepse nenet kryesore të saj nuk janë të aplikueshme në shumicën e rasteve, me ligje apo akte normative. Neni 14 i Kushtetutës mbron qartë identitetin kombëtar, i mbron qartë simbolet kombëtare. Duhet të mbrohet me akte nënligjore dhe me ligje mbrojtja e simboleve kombëtare që është një nen kushtetues që është plotësisht e drejtë.

Ka dy problematika, flamuri i Vorio Epirit nuk është çështje e një simbolike apo e një shamie të ngjyrosur, është pretendim i drejtpërdrejtë territorial që cenon hapur sovranitetin e Republikës së Shqipërisë. Çdo njeri që përfaqësohet me atë flamur, përfaqëson një dialektikë politike që ka për qëllim të cenojë sovranitetin dhe sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Çështja e dytë, në një vend demokratik, nëse flasim për KiE, çdo njeri ka të drejtë të ngrejë flamurin me të cilin identifikohet, por jo të ketë një dialektikë politike e cila është hapur kundër tërësisë territorial të Republikës së Shqipërisë.  Z.Koçi mund të jetë frymëzuar nga akti patriot i 2001 në SHBA me akte terroriste që mbronte interesat amerikane. Propozime të tilla që nuk hartohen mirë në aspektin ligjor, mund të kenë problematika me limitimin dhe cenimin e lirive themelore të njerëzve. Jam dakord për një ligj patriotik po së pari të mos ketë qëllime të mirëfillta nacionaliste dhe nuk jam me idenë prapavepruese.”, u shpreh ai. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!