Qeveria ka vendosur që të mos pranojë më oferta të pakërkuara në koncesionet për infrastrukturën rrugore. Këto kërkesa të biznesit do të lejohen vetëm në sektorët me rëndësi të veçantë, por edhe në këtë pjesë nuk do të shpërblehen me bonus të pikëve në garë. Drafti është depozituar në kuvend dhe është miratuar nga qeveria.
Qeveria ka vendosur që të tërhiqet nga ofertat e pakërkuara që propozohen nga biznesi për koncesionet në infrastrukturën rrugore.
Ndryshimet në ligjin e 2013-s për koncesionet dhe partneritetin publik-privat janë depozituar në Kuvendin e Shqipërisë dhe kanë marrë dhe miratimin e Këshillit të Ministrave.
Ky standard i ri do të zbatohet në korrik të këtij viti, por qeveria mbetet e hapur për të bërë oferta të tilla në fushën e sektorëve strategjikë si portet, aeroportet, prodhimi dhe shpërndarja e energjisë dhe gazi natyror.
Në këto fusha, ligji nuk do të shpërblejë më bizneset me bonus në garë për shkak të studimit dhe ofertës së bërë prej tyre, por do të shpallë fituesin në një garë të hapur. Në rastin kur fitues nuk do të jetë kompania që ka hartuar projektin, qeveria do t’i japë shumën e shpenzuar për atë projekt.
Një ditë më parë Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë u tërhoq nga firmosja e kontratës për ndërtimin me PPP të aksit Thumanë-Kashar, ndërsa deri tani në infrastrukturën rrugore janë miratuar afro 1 miliard euro projekte, ku bizneset kanë dorëzuar oferta të pakërkuara.
Kërkesën ndaj ekzektuvit për të hequr dorë nga këto oferta e ka bërë prej dy vitesh edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Drafti tashmë pret të marrë votat e parlamentarëve ndërsa qeveria ka ende në shqyrtim një ofertë të fundit atë zgjerimit të autostradës Tiranë – Durrës, rehabilitimit të rrugës së vjetër të Ndroqit dhe të ndërtimin e Kashar – Rrogozhinë. Dispozitat e ligjit të ri e lejojnë miratimin e kërkesave që janë në proces./abcnews.al