Ligji i bashkëqeverisjes, Rama: S’ka më pritje në sportele, nga janari thuajse të gjitha shërbimet online

schedule11:53 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 11:53 - 14 Dhjetor, 2021

Kryeministri Edi Rama këtë të martë nga Berati ka prezantuar ligjin e bashkëqeverisjes .

Rama në fjalën e tij ka bërë me dije se tashmë do të eliminohet lëvizja e qytetarëve në shumë zyra dhe aplikimi do të bëhet vetëm online.

Ndër të tjera ai thekson se pritet që në janar të ketë akses të plotë në shërbimet administrative përmes smartfonit apo kompjuterit dhe fillimi i mbylljes së sporteleve, duke i dhënë fund radhëve, zvarritjeve, ryshfetit.

“Ky takim është në serinë e takimeve që po bëjmë sëbashku me drejtoren e Agjensisë për Dialog në Kryeministri, agjensia që merret me administrimin e platformës së bashkëqeverisjes dhe me drejtoren e Agjensisë së Informacionit që mbulon pjesën që ka të bëjë me dhënien e shërbimeve online për qytetarët. Arsyeja e këtyre takimeve është sensibilizimi i qytetarëve për dy risi që sot janë një mundësi shumë e madhe për çdo qytetar që të marrë shërbimet në një kohë të shpejtë pa radhë dhe pa zvarritje dhe pa dalë nga shtëpia në pjesën dërrmuese të tyre por duke përdorur smartfonin dhe kompjuterin për të vënë në lëvizje mekanizmin e ri ligjor.

Përsa i përket shërbimeve bëj me dije se janë mbi 1 mijë shërbime që jepën onlinë përmes platformës E-Albania, dhe qytetarët mund ti bëjnë nga shtëpia. Edhe për kadastrën që është një ndër shërbimet më të kërkuara dhe të përfolura ku nuk është e nevojshme që të shkohet në sportel por të bëhet aplikimi nga telefoni dhe agjensia Shtetërore e kadastrës të japë afatin e duhur. Nuk është më e nevojshme që qytetarët të shkojnë në shumë zyra për të mbushur dosjen me shumë dokumente që kërkohet për një shërbim të caktuar por një gjë e tillë mund të bëhet përmes aplikimit online.

Të gjithë punonjësit e sporteleve do të bëjnë punën pas ekranit të telefonit. Aplikon për një shërbim dhe merr përgjigje dhe në këtë faze një pjesë e madhe e aplikimeve e marrin përgjigjen e drejtpërdrejtë në telefon ose në kompjuter, një pjesë jo. Nëse aplikon për titullin e pronësisë në kadastër, nuk e merr titullin në telefon por duhet që të shkosh ta marrësh. Ne po përpiqemi që jo vetëm aplikimin por edhe marrjen e dokumentit ta marrësh online”, ka thënë ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!