Ligji anti-shpifje, Meta: Qeveria të shqyrtojë sugjerimet e gazetarëve

schedule13:10 - 15 Gusht, 2019

schedule 13:10 - 15 Gusht, 2019

Qeveria dhe parlamenti nuk duhet të neglizhojnë shqetësimet e shprehura nga komunitetit i gazetarëve dhe OSBE ndaj paketës ligjore anti-shpifje të ndërmarrë nga shumica qeverisëse. Është ky sugjerimi i presidentit Ilir Meta bërë publik nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale.

Pas pushimeve presidenti Ilir Meta përqendrohet në nismën ligjore “anti-shpifje” të propozuar nga qeveria. Ai thekson domosdoshmërinë e marrjes në shqyrtim nga ana e qeverisë, por edhe e Parlamentit, e të gjitha sugjerimeve të shprehura nga komuniteti i gazetarëve, me kujdesin dhe vëmendjen e duhur që ato meritojnë.

“Shpreh bindjen se angazhimi i institucioneve dhe i shoqërisë në përkrahje të lirisë së të shprehurit është tregues për demokracinë, qeverisjen e mirë dhe përgjegjësinë publike në vend”.

Në qëndrimin e tij të shpërndarë në rrjetet sociale kreu i shtetit rendit të dhënat e raporteve mbi median në Shqipëri të cilat tregojnë se ka zbritur me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, përfundimet e raportit vjetor të “Freedom House” thonë se media në Shqipëri është pjesërisht e lirë; konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale tregojnë “autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve”;

“Raporti paraprak i OSBE/ODIHR ku theksohej se “media të mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën janë kambana të forta alarmi për gjendjen e përkeqësuar dhe tepër shqetësuese në të cilën ndodhen sot gazetarët në Shqipëri”, thotë presidenti.

Duke garantuar komunitetin e gazetarëve se do të jetë në krah të tyre, presidenti Meta thekson se pa media të lirë dhe të pavarur, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian është e pamundur./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!