Komisioni i ligjeve vijoi procedurat e shkarkimit të presidentit, duke caktuar të hënën si dita kur Ilir Meta mund të japë shpjegimet e tij. Taulant Balla argumentoi se pse Meta kishte shkelur rëndë Kushtetutën, kurse opozita e re parlamentare kërkoi që shkarkimi të shtyhej për pas zgjedhjeve.
Të hënën, Ilir Meta është i ftuar në Komisionin e Ligjeve të japë shpjegimet e tij kundërshtuese ndaj pretendimeve të socialistëve se ka shkelur rëndë Kushtetutën kur anuloi 30 Qershorin.
“Në rast se Presidenti kërkon që të dëgjohet në Komisionin e Ligjeve, komisioni i krijon mundësinë presidentit të vijë të shprehet pranë këtij komisioni, por gjithsesi kjo është çështje që i përket mbledhjes së radhës”, tha Manja.
Komisioni i Ligjeve miratoi kalendarin për këtë çështje, duke parashikuar që të enjten tjetër të ngrihet nga Kuvendi Komisioni hetimor parlamentar për këtë çështje.
“Do të hartojë një raport për seancën plenare në përfundim të të cilit do t’i kërkojë seancës plenare, ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të vërtetuar nëse në veprimtarinë e Presidentit të Republikës është shkelur neni 92 i Kushtetutës”, tha Manja.
Në emër të mazhorancës, kreu i grupit socialist Taualnt Balla prezantoi në komision shkeljet e Metës. Në emër të opozitës së re, ish-këshilltari i Ilir Metës kërkoi shtyrjen e këtyre procedurave.
“Në kontekstin aktual që po kalon shqipëria më duket e nxituar propozimi i një kalendari kaq të shpejtë. Sugjeroj që afatet kohore për shqyrtimin e kërkesës në seancë plenare, për shkak edhe të krizës aktuale që po kalon Shqipëria në interes edhe të axhendës evropiane të Shqipërisë të shtyhet pas zgjedhjeve të 30 Qershorit”, tha Ralf Gjoni.
Kjo kërkesë u refuzua me argumentin se rregullorja e jep vetëm 15 ditë afat Komisionit të Ligjeve për të kërkuar ngritjen e Komisionit Hetimor./ABC News Albania 24/7