Ligj për ‘tradhtarët”/ Koçi: Spunto nga flamuri i Belerit me VorioEpirin! Dhuli: Parimisht dakord, por …

schedule20:14 - 9 Maj, 2024

schedule 20:14 - 9 Maj, 2024

TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka depozituar një projektligj në Kuvend, kundër atyre që ai e quan “tradhtarëve të kombit”.

Nëpërmjet tij, ai kërkon që të ndalohet kandidimi, zgjedhja apo emërimi në funksione publike i personave që janë dënuar për dhunim apo përdhosje të simboleve kombëtare.

Kjo temë u diskutua mbrëmjen e kësaj të enjteje në studion e “Real Story” në ABC News, ku të ftuar janë deputeti socialist Petro Koçi dhe përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Himarë, Skerdjan Dhuli.

Deputeti i  Partisë Socialiste u shpreh se për projektligjin e propozuar ka marrë spunto nga Fredi Beleri, i cili u shfaq në publik me flamurin e Vorio Epirit, një akt ky, i cili bie ndesh dhe poshtëron simbolet kombëtare shqiptare.

Ai theksoi se nëse personalisht nuk ka pasur dijeni për flamurin e Vorio Epirit në takimet e tij me qytetarët, atëherë Fredi Beleri duhet të dilte dhe të distancohej publikisht nga ky rast

Përfaqësuesi i PD Skerdjan Dhuli, tha se takimi ku është shfaqur flamuri i Vorio Epirit nuk është organizuar nga shtabi i tij elektoral, por ai simbol është vendosur nga banorët e Samos.

Pjesë nga debati në studio: 

Dhuli: Kam bërë fushatën e Belerit për të cilën nëse do rikthehesha do bëja 5 fishin e saj, duke qenë të bindur në fitore, diku edhe neglizhuam.

Sokol Balla: Bëtë fushatë me flamurin e Vorio Epirit që nuk pranohet nga Greqia. Vorio Epiri do të thotë se nuk ekziston shteti shqiptar.

Dhuli: Në lidhje me foton e Belerit, takimi ka ndodhur gjatë fushatës së 2023 në Samos, nuk është organizuar nga ne si shtab elektoral, por nga banorët, Beleri ka qenë i vetëm. Nuk është shpjegim justifikues, por Beleri ka qenë i vetëm, flamuri është vendosur nga banorët, ne si shtab elektoral jemi detajist. Ne baner kryesor kishin logon tonë, takimi në fjalë nuk ka ndodhur në Shqipëri, por Samos në Greqi. Parimisht me këtë nismë ligjore unë bie dakord. Por ka një problem, problematika në këtë rast nuk është e imja si jurist, por e komisionit të venecias. Nëse një nismë e tij do miratohej do binte ndesh edhe me themelin e Këshillit të Europës. Shqipëria është anëtare e KiE, dhe duhet të pranojmë që drejtësia penale e ka të shenjtë parimin e rehabilitimit. Nëse e pranojmë një nismë të tillë, ne e ndëshkojmë përjetësisht një person. Dhe së dyti, ligji nuk ka fuqi prapavepruese që do të thotë nëse miratohet në maj 2024, nuk mund të merret si referencë vepra penale të ndodhura shumë vite më parë. Nëse do ndodhë një shtet aspirant për BE nuk do ta pranojë kurrsesi dhe nuk mendoj që kjo duhet të jetë kaq e lehtë për t’u kaluar. E rithem, parimisht jam pro, le të miratohet nesër ky ndryshim, por shoqërohet me probleme.

Petro Koçi: Spunton për nismën e kam marrë nga rasti Beleri. Të vijmë të flamuri i VorioEpirit, mund ta marrim për të mirëqenë që flamuri është vënë nga banorët, por ama kandidati për kryetar bashkie duhet të bënte një deklaratë ku distancohet prerazi nga ky moment, gjë që nuk ka ndodhur.  Spunton e kam marrë nga rasti Beleri në kuptimin që në publik kishte shumë shqetësim lidhur me faktin që institucionet nuk mundën ta pengonin kandidatin Beleri për të kandiduar edhe pse ai ishte i dënuar, sipas mediave, për poshtërim të simboleve të Republikës, apo në ngjarjen e Peshkëpisë. Kjo më dha një shkas për t’u marrë me atë nismë. Sot kemi një ligj nuk jemi ne në gjendje të diskutojmë kushtetuetshmërinë, ai është në fuqi. Në mënyrën si është formuluar mendoj se mungesa e këtyre dy neneve të odit penal, është pak edhe kompromentuese. Sepse ti ndalon që dikush të zgjidhet apo emërohet në funksion publik kur ka kryer krim të një natyre tjetër, por jo një person që ka përdhosur simbolet kombëtare. Nuk rehabilitohet kjo nuk ndryshon dot./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!