Liga e vendosur, për hallet e futbollit takohet veç me kryeministrin

schedule20:28 - 13 Shtator, 2020

schedule 20:28 - 13 Shtator, 2020

Futbolli shqiptar ndodhet në bojkot dhe po pret që qeveria të plotësojë katër kërkesat, që janë përpiluar nga Liga Profesioniste e Futbollit.

Sekretari Dritan Kadia, me anë të një postimi në faqen zyrtare të Ligës, tregon se është refuzuar kërkesa e Fidel Yllit, deputetit socialist, për të zhvilluar një takim në Ministrinë e Financave, pasi kërkohet një takim vetëm me Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë.

I nderuar zoti Fidel,

Më duhet t’u bëj me dije që Z. Libohova ka qenë pa qejf, nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e Ligës dhe nuk ka pasur informacion mbi vendimet e Mbledhjes së Jashtëzakonshme të Anëtarëve.

Duke ju falënderuar për ftesën që të takohemi në zyrat e Ministrisë së Financave, me keqardhje më duhet t’ju njoftoj se ne nuk e shohim të nevojshëm këtë takim, pasi Liga Profesioniste e Futbollit i ka përcjellë të gjitha propozimet dhe kërkesat e saj pranë drejtuesve të kësaj ministrie shumë herë.

Për më tepër, kërkesat e Ligës nuk përmbushen me zgjidhje teknike të punonjësve të ministrisë por me një vullnet të qartë politik, që varet e mund të ndërmerret vetëm nga Kryeministri. Përcilljani ju lutem Kryeministrit gatishmërinë dhe pritjen e delegacionit të Ligës për tu takuar me të në zyrat e qeverisë.

Duke përfituar nga rasti, bazuar në vendimin e Ligës, ju ftoj për një takim e diskutim miqësor në mjediset e Ligës. Me konsideratën më të lartë për ju, sekretari i Ligës, Dritan Kadia“, përfundon postimi i Ligës Profesioniste të Futbollit. /abcnews.al