Liga e Kampioneve rifillon me një sfidë të madhe italo-angleze

schedule14:52 - 13 Shkurt, 2018

schedule 14:52 - 13 Shkurt, 2018

Liga e Kampionëve rifillon sonte me një përballje të madhe. Juventusi pret Totenhemin në Torino, në orën 20:45, në një duel të spikatur mes futbollit italian dhe atij anglez.

Mrekullia e Mario Manxhukiçit nuk mjaftoi herën e kaluar.

Juventusi u detyrua të dorëzohej përballë Realit në finalen e Championsit në maj të 2017-ës, por tashmë kemi vit të ri dhe shpresa të reja.

“Zonja e Vjetër” po përgatitet për të pritur Totenhemin, në ndeshjen e parë të turit të dytë, ndërsa kompeticioni kryesor I klubeve në Europë rifillon pikërisht sot.

Dueli italo-anglez është ndër më të bukurit e këtij raundi, edhe pse jo një klasike.

Në çfarë mënyre do të paraqitet Juventusi, do të jetë I kujdesshëm?

Alegri: “Jo, nuk do të luajmë për 0-0. Duam vetëm të mos pësojmë gol në shtëpi. Kjo çerekfinale do të jetë e ekuilibruar, secila nga skuadrat ka nga 50 për qind shanse për kualifikim. Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi nuk duhet të lejojmë që kundërshtari të shfrytëzoi cilësitë e tij të larta fizike dhe teknike. Gjithsesi, jemi Juventusi dhe kemi fituar respet të madh për veten me rezultatet që kemi arritur vitet e fundit”.

Xhorxho Kielinit, mbrojtësit më të fortë të Juventusit, iu bë menjëherë pyetja për sulmuesin kryesor kundërshtar, Harri Kejn.

Kielini: “Është një sulmues i jashtëzakonshëm, siç e tregojnë statistikat e tij vitet e fundit. Është përmirësuar shumë këto kohë, diçka që nuk është e lehtë, por ai ia ka dalë. Është futbollist i kompletuar, pasi shënon gola, luan për skuadrën, ndihmon shokët të realizojnë. Është një nga numrat 9 më të mirë në botë”.

Kejn, nga ana e tij, nuk vonoi t’ia kthente komplimentat italianit.

Kejn: “Po, po. Ai është një mbrojtës i mahnitshëm. E mbaj mend në ndeshjen time të parë për Anglinë, kur isha përballë tij, ndërsa luante për Italinë. Bëri një ndërhyrje të ashpër, sikur të më jepte mirëseardhjen në futbollin ndërkombëtar. Gjithsesi, Juventusi nuk ka vetëm Kielinin, por e gjithë skuadra është e fortë. Është një ndeshje vërtet e madhe, nga ato ndeshje që ne kemi dëshirë t’i luajmë”.

Po trajneri i londinezëve, Maurisio Poçetino, si e mendon përballjen.

A është Totenhemi në nivelin e kundërshtarit?

Poçetino: “Juventusi është një klub masiv. Ne nuk mund të krahasohemi me të, dhe këtë e tregon historia e madhe e Juventusit. Po ashtu, vitet e fundit ka fituar gjithçka në Itali dhe ka luajtur dy nga tri finalet e fundit në Champions. Totenhemi, ndërkaq, është një ekip i ri, dhe po ndërton një projekt të rëndësishëm, por ne duam që të jemi në nivelin e Juventusit dhe do ta provojmë. Për mua është emocionuese, gjithashtu, që të vij për herë të parë në Torino, në vendin e origjinës së familjes sime”.

Historia padyshim është në favor të Juventusit, që ka fituar dy herë Championsin, po ashtu edhe Kupën e Kupave të Europës dhe Kupën UEFA, pa harruar Superkupën europiane dhe Kupën e Botës për klubet.

Totenhemi ia ka dalë të fitojë vetëm nga një herë Kupën e Kupave dhe dy herë Kupën UEFA, duke mos qenë i suksesshëm në Champions.

Anglezët kanë fituar vetëm dy tituj në vendin e tyre, ndaj 33 titujve të italianëve në Serinë A.

Dueli më interesant I sfidës është ai mes dy sulmuesve kryesorë, Gonzalo Higuain e Harri Kejn.

Argjentinasi, 30-vjeçar me shumë përvojë, ka fituar 10 trofe të rëndësishëm tek Reali, Napoli e tani tek Juventusi, dhe do të jetë rreziku kryesor për anglezët.

Kejn, ende vetëm 24 vjeç, është në formë të jashtëzakonshme aq sa cilësohet si sulmuesi më i mirë i botës për momentin.

Ai doli shënuesi më i mirë i vitit 2017 duke mundur Lionel Mesin, ndërsa ka fituar Këpucën e Artë të Premier Ligës në dy sezonet e fundit, duke qenë sërish në golshënuesi më i mirë edhe këtë vit.

Juventusit i mungon njëri nga lojtarët më të rëndësishëm, Paulo Dibala, edhe pse u stërvit me skuadrën, dhe po ashtu nuk është as Barxali.

Totenhemi, në të kundërt, nuk ka asnjë problem me dëmtimet apo pezullimet, me përjashtim të mbrojtësit Alderveired që mungon prej 3 muajsh./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!