Liga e Futbollit tashmë realitet

schedule18:30 - 17 Dhjetor, 2018

schedule 18:30 - 17 Dhjetor, 2018

Klubet e Superligës shqiptare ranë më në fund dakord që të krijonin Ligën e Futbollit. Presidentët dhe drejtuesit e Federatës treguan sesi u arrit marrëveshja dhe sesi do të funksionojë kjo ligë.

U deshën 7 vjet të paktën që të bindeshin. Klubet shqiptare duket se ia arritën asaj dite që të krijonin Ligën e Futbollit. Vendimtare, mbledhja e zhvilluar këtë të hënë në selinë e Federatës, ku palët më në fund ranë dakord për statutin, dhe për fillimin e një epoke të re.

Presidentë ishin vetëm disa, nga Durrësi, Laçi apo Kamza, po ashtu drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama. Dikush u vonua, si numri 1 kamzali, Qarri, ndërsa Tirana nuk dërgoi asnjë përfaqësues, por gjithsesi, në Federatë pohuan se edhe ajo e ka firmosur statutin. Pas rreth një ore e gjysmë mbledhjeje, i pari nga salla doli presidenti i Teutës, Edmond Hasanbelliu.

“Ne sot u mblodhëm, folëm në parim. Folëm edhe për çështje teknike. Ky është vetëm fillimi. Nëse çdo gjë do të funksionojë mirë të shohim rrugës tani. Çështjet teknike ishin më të rëndësishme. Ato ishin problem dhe parimisht me juristët tanë ramë dakord dhe parimisht i zgjodhëm”, u shpreh ai.

Olsi Rama i Partizanit, foli për amendamentet në statut, duke treguar se besimi i plotë nuk ekziston, dhe se çfarë synohet nga klubi i tij.

“Garantimin e një lige që do të funksiononte në mënyrë sa më të pavarur nga federata. Është komisioni i arbitrave që sipas propozimeve do të ketë input nga liga në dizenjatorit që do të caktohet. Pastaj në raport me Komisionin e Disiplinës të Apelit.Këto janë gjëra që do të sqarohen më mbrapa në një marrëveshje që do të bëjë Liga me Federatën”, tha Olsi Rama.

Në krye të ligës u zgjodh zv/presidenti i Federatës, Edmond Libohova. Kjo duket se tregon që klubet vështirë të merren vesh.

“Në statutin e Ligës ishte parashikuar që të mos ketë persona nga klubet për arsye në situatën dhe mjedisin ku jetojmë mund të krijojë një ngërç në raport me klubet e tjera”, u shpreh Olsi Rama.

Ja edhe fjalët e presidentit të ri, Libohovës, që sipas funksionit duhet të jetë gjithnjë në Komitetin Ekzekutiv të Federatës.

“Hapi i parë është regjistrimi në gjykatë për t’u institucionalizuar që është çështje ditësh dhe hapi tjetër është për të ngritur strukturat teknike të saj që do të ndjekin problemet financiare, problemet juridike dhe problemet sportive. Nëse një ekip fiton të drejtën për të hyrë në Superligë dhe nuk do të jetë anëtar, ai mund të jetë larg, por nuk do të ketë përfitime sepse dihet që përfitime do të kenë vetëm anëtarët dhe këtu diskutohet për shuma shumë më të mëdha se deri më sot”, u shpreh Libohova.

Presidenti Duka mund të ndihet i kënaqur, pasi kishte vite që kërkonte formimin e ligës.

“Të gjitha të drejtat e menaxhimit të aktivitetit të Kategorisë Superiore do t’i ketë Liga. Të drejtat e emrit, të marketingut, televizive, reklamat e të gjithat. Komisionet juridike dhe komisionet e arbitrimit janë dhe një dhe nuk mund të ketë komisione paralele, por gjithsesi Federata do i japë akses Ligës që të kontrollojë 100% ato ç’kanë kanë lidhje dhe interesa të garës së tyre”, tha Duka.

Tashmë, liga duhet të regjistrohet në gjykatë, dhe të bëhet anëtare e Federatës në Asamblenë e ardhshme, në 6 muajt e parë të vitit 2019./abcnews.al