Liderja në mërgim e Lëvizjes Demokratike të Bjellorusisë, Svyatlana Tsikhanouskaya, u ka bërë thirrje liderëve të Perëndimit të jenë të “bashkuara” dhe të “vendosur” për t’i bërë ballë “synimeve imperialiste të Rusisë”.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë në margjinat e samitit të NATO-s në Uashington, Tsikhanouskaya argumentoi se populli i Ukrainës nuk po lufton vetëm për vendin e vet, por gjithashtu edhe për “vlerat e vendeve demokratike”.
“Më besoni, nëse e lejojmë Ukrainën ta humbë luftën e saj, bota demokratike – Evropa e fuqishme apo SHBA-ja – do të jenë të radhës që do të sulmohen nga diktatura”, tha ajo.
Tsikhanouskaya, 41 vjeçe, është ish-mësimdhënëse e cila garoi për presidente në Bjellorusi më 2020, pasi burrit të saj, Syarhey Tsikhanouski, iu ndalua pjesëmarrja në zgjedhje dhe u burgos.
Ajo u detyrua të ikë në Lituani gjatë luftës brutale kundër një vale protestash prodekomratike, të cilat shpërthyen pasi liderit Alyaksandr Lukashenka iu dhurua mandati i gjashtë presidencial në zgjedhjet e kontestuara.
“Fatet e Bjellorusisë dhe Ukrainës janë të ndërthurura. Ne i inkurajojmë plotësisht vendet e NATO-s për t’i mbështetur ukrainasit dhe për t’i dhënë Ukrainës gjithçka që ka nevojë për ta fituar këtë luftë. Por, mos e lini anash Bjellorusinë”, theksoi ajo.
Tsikhanouskaya shtoi se “diktatorët” si Lukashenka dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i shohin plogështinë dhe pavendosmërinë e Perëndimit si “dobësi”.
“Dhe ata mendojnë se mund t’i kalojnë vijat e kuqe vazhdimisht”, tha ajo, duke shtuar se ata po e sfidojnë botën Perëndimore për të mësuar se sa larg mund të shkojnë derisa të përballen me një përgjigje.
“Prandaj të gjitha tanket dhe pajisjet e mundshme për Ukrainën është dashur të ishin atje qysh dje. Ne nuk kemi kohë”, nënvizoi ajo.
“Unë po pres unitet dhe vendosmëri nga vendet e NATO-s, sepse këtë po e presin njerëzit të cilët po luftojnë kundër tiranisë, kundër synimeve imperialiste të Rusisë, dhe kundër diktatorëve të botës”, përfundoi Tsikhanouskaya./REL