Vazhdojnë grevat në fabrikat e Bjellorusisë kundër Aleksandër Lukashenkos.
Svetlana Tikhanovskaya, e cila ka sfiduar liderin bjellorus në zgjedhjet shumë të kontestuara presidenciale të 9 Gushtit u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos i ndalin protestat.
Tikhanovskaya, është detyruar të vendoset në Lituani pas kërcënimeve direkt pas rezultatit të votimeve, zgjedhje të cilat i dhanë Lukashenkos mandatin e gjashtë në drejtimin e vendit.
Apeli i fundit i lideres së opozitës i drejtohet punëtorëve Bjellorusë:
“Punëtorë Bjellorusë, e ardhmja e Bjellorusisë, që do të thotë edhe e ardhmja e fëmijëve tuaj, varet tashmë vetëm nga bashkimi dhe vendosmëria jonë. Ju kërkoj pra, të vazhdoni dhe t’i zgjeroni grevat. Mos e lini veten t’ju frikësojnë”, tha ajo.
Tikhanovskaya i ka cilësuar grevat një metodë lufte të ligjshme dhe efikase. Ajo gjithashtu shtoi se tashmë miliona euro i janë dhuruar fondacioneve që mbështesin aksionet opozitare në vend.
Mes objektivave të grevave theksohet nevoja për t’i dhënë fund dhunës, kërkohet lirimi i të burgosurve politikë dhe realizimi i zgjedhjeve transparente, të lira dhe të ndershme.
Ndërkaq, në Bjellorusi vazhdojnë protestat masive kundër rezultatit të zgjedhjeve.
Në ditët e para pas daljes së rezultatit, të shumta qenë përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit.
Lukashenko në pushtet që nga viti 1994 e ka përjashtuar mundësinë për zgjedhje të reja.
Nga ana tjetër, liderët e BE-së, në një konferencë të posaçme për situatën në Bjellorusi kanë deklaruar se nuk e njohin rezultatin e zgjedhjeve të datës 9 Gusht./abcnews.al