Liderët dhe politikanë kosovarë kanë përshëndetur votimin pozitiv të Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave. Presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj falenderuan eurodeputetët që mbështetën Prishtinën në këtë çështje.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar lidhur me votimin pozitiv të Parlamentit Evropian për Liberalizimin e Vizave. Ai shkruan në një mesazh në facebook se kosovarët janë një hap më pranë drejt marrjes së dritës së gjelbër për lëvizje të lirë në zonën Shengen. “Ky është një mesazh i qartë edhe për institucionet e tjera vendimmarrëse në Bashkimin Evropian. Jam i bindur se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të përmbyllet tërësisht ky proces dhe qytetarët tanë, pas një rrugëtimi të gjatë dhe tejet të mundimshëm, së shpejti do të jenë të barabartë me të gjithë qytetarët e Bashkimit Evropian”, nënvizon Thaçi.
Gjithashtu edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar qytetarët e Kosovës për votimin pozitiv të Parlamanetit Evropian. “Së shpejti do të lëvizni lirshëm në Evropë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook duke falenderuar eurodeputetët që votuan pro liberalizimit të vizave me Kosovën. Ndërkohë, edhe drejtues të tjerë të shtetit dhe politikanë të shumtë kanë përshëndetur votimin në Parlamentin Evropian, dhe e konsiderojnë këtë si një hap tjetër më afër liberalizimit të vizave./abcnews.al