Lidërët e Bashkimit Evropian këtë të enjte do të diskutojnë në lidhje me furnizimin me vaksina për Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka bërë me dije se në kuadër të situatës pandemike është e rëndësishme që ato të flasin me vendet e treta në lidhje me vaksinat që duhet të trajtohen si një e mirë publike globale.
“Ne duhet të flasim për bashkëpunimin me vendet e treta në lidhje me vaksinat që duhet të trajtohen si një e mirë publike globale. Ne do të shohim se si mund t’i ndihmojmë partnerët tanë fqinjë dhe më gjerë”, ka thënë Michel.
Në një letër ftesë drejtuar udhëheqësve të vendeve anëtare të BE-së, në prag të konferencës video të planifikuar për të enjten në 18:00, Charles Michel shprehet se fushata e vaksinimit brenda BE-së do të diskutohet gjithashtu në takim.
“Përshpejtimi i vaksinimit në të gjithë BE është përparësia jonë absolute”, tha ai.
Michel po ashtu njoftoi se do të ketë bisedime mbi certifikatat e vaksinimit.Presidenti i Këshillit Evropian vlerëson se situata aktuale me infeksionin COVID-19 në Evropë kërkon vëmendjen më të madhe.
Ai bën thirrje për testime dhe monitorime të gjera të kontakteve, përveç fillimit të vaksinimit, por edhe për lëvizjet ndërkufitare brenda BE-së. /abcnews.al