Liderët botërore mbështesin Britanine e Madhe për akuzat ndaj dy rusëve

schedule23:15 - 6 Shtator, 2018

schedule 23:15 - 6 Shtator, 2018

Liderët botërore kanë mbështetur qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për akuzat e ngritura ndaj dy shtetasve rusë lidhur me rastin e sulmit me agjent nervor ndaj një ish agjenti rus. Nga ana tjetër, Moska vijon të mohojë çdo përfshirje.

SHBA, Franca, Gjermania dhe Kanadaja kanë rënë dakord me Britaninë e Madhe se qeveria ruse “pothuajse me siguri” ka miratuar helmimin me Novichok në Salisbury. Ata i kanë bërë thirrje Rusisë që të shpalosë në tërësi, programin e saj me “Novichok”. Deklarata e përbashkët vjen përpara takimit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që mblidhet për të diskutuar sulmin ndaj ish spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia në mars dhe pasojat e tij. Rusia vijon të mohojë çdo përfshirje.

Britania e Madhe ka identifikuar dy persona që besohet të jenë nga shërbimi i inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, si të dyshuarit kryesorë. Theresa May tha se të dyshuarit kishin hyrë në Mbretërinë e Bashkuar me pasaporta ruse duke përdorur emrat Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov. Ajo u tha deputetëve se sulmi me substancë kimike ishte “pothuajse me siguri” i miratuar në një nivel të lartë të shtetit rus. Kremlini i quajti këto akuza “të papranueshme”.

Deklarata e May, Emmanuel Macron, Angela Merkel, Donald Trump dhe Justin Trudeau thotë: “Ne, udhëheqësit e Francës, Gjermanisë, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë dhe Mbretërisë së Bashkuar, përsërisim zemërimin tonë për përdorimin e agjentit nervor kimik , i njohur si Novichok, në Salisbury më 4 mars”. Krerët përshëndetën avancimin në hetime, por u kërkuan atyre që kishin më shumë informacion të bashkëpunojnë me autoritetet e Mbretërisë së Bashkuar. “Ne kemi besim të plotë në vlerësimin britanik se të dy të dyshuarit ishin oficerë të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse, i njohur gjithashtu si GRU”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë, Rusia nuk pranon ekstradimin e dy shtetasve, por një urdhër arresti evropian është lëshuar në rast se ata udhëtojnë për në ndonjë vend të BE-së. /abcnews.al