Liçi: Me kryesuesit kemi treguar vlera, tani të mundim Flamurtarin

schedule14:51 - 24 Janar, 2020

schedule 14:51 - 24 Janar, 2020

Gentian Liçi, krahu i djathtë i Ilir Dajës, ka dalë sot para mediave për të folur për ndeshjen me Flamurtarin. Pjesëtari i stafit teknik të Skënderbeut foli fillimisht për ndeshjen e fituar me Partizanin, si dhe për luhatjet që kanë pasur korçarët gjatë këtij sezoni. Sigurisht në fokus ishte edhe Flamurtarit, teksa Liçi theksoi se nesër duhet të triumfojnë me çdo kusht.

“Ishte një ndeshje e vështirë, karshi një ekipi që është kampioni i sezonit të kaluar, një ekip i fortë. Ishte ndeshja e parë e këtij viti dhe e treguam veten, duke marrë rezultat pozitiv. Kjo i jep moral ekipit për ndeshjet në vazhdim”, u shpreh Liçi, i cili vijoi me analizën e tij.

“Ekipi ynë, ndaj ekipeve të kreut të tabelës gjithmonë ka treguar vlera. Nuk ishte e thjeshtë fitorja dhe marrja e tre pikëve. Patëm problemet tona në administrim, por në fund u fitua ndeshja dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme”, shtoi zëvendëstrajneri i Skënderbeut.

Korçarëve u ka munguar vazhdimësi dhe Liçi e komenton kështu këtë pjesë: “Kemi pasur luhatje dhe është folur shumë për këtë pjesë. Kemi luajtur ndeshje shumë të mira dhe pastaj të këqija. Kjo tregon se duhet të jemi shumë të fokusuar te vazhdimësia, pavarësisht se kundër kujt ekipi luajmë. Janë shumë të rëndësishme tre pikët, ndaj çdo skuadre. Këtë duhet të bëjmë nesër”.

Objektivi nesër me Flamurtarin është i qartë: “Kemi punuar këto kohë, stafi dhe të gjithë të tjerët. Me ekipet e ashtuquajtura të dobëta kemi pasur probleme. Mendoj se nesër duhet të tregojmë fytyrën e vërtetë të Skënderbeut, pavarësisht se kundër kujt luajmë. Është shumë e rëndësishme të marrim tre pikët e radhës. Sigurisht futemi në fushë vetëm për tre pikët”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!