Liceu Artistik me status të veçantë/ Flet drejtoresha: Këtë institucion e njoh që 6 vjeç, i është kthyer dinjiteti

schedule10:06 - 11 Tetor, 2024

schedule 10:06 - 11 Tetor, 2024

Në muajin shtator, Liceu Artistik “Jordan Misja” mori “statusin e veçantë” nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, një njohje që i dha autonominë menaxheriale dhe financiare kësaj shkolle me orientim artistik.

Lidhur me këtë ka folur në emisionin “Pas Mesnate”, drejtoresha e Liceut Artistik, Etleva Kolnikaj, i cila e ka konsideruar një domosdoshmëri rikthimin e këtij statusi, i cili sipas saj është hequr padrejtësisht.

Sipas Kolnikajt, Liceu Artistik “Jordan Misja” ka nxjerrë shumë talente, që dhe pas shumë vitesh zgjedhin të kontribuojnë për shkollën e tyre të dikurshme.

Ajo sakaq, ka theksuar se e njeh këtë institucion që 6 vjeç dhe tashmë ka ndryshuar shumë më mirë.

“Statusi i është hequr Liceut dhe ajo që përsupozon ky status është kthimi i një dinjiteti i shkollës artistike “Jordan Misja” në Tiranë. Liceu Artistik “Jordan Misja” për të cilin unë po flas tani si një ish-nxënëse dhe sot drejtuese është një nga shkollat ikonë që ka vendi jonë dhe këtë e them me shumë dashuri dhe me shumë bindje, sepse nga ajo shkollë kanë dalë talente, yje që na kanë nderuar dhe vazhdojnë të na nderojnë jo vetëm në vendin tonë, por kudo në botë. Kanë qenë pikërisht, këta nxënës të dalë nga kjo shkollë që kudo që shkojnë, kokën e kthejnë përsëri në Liceun Artistik, duke ardhur me fitoret e tyre kudo që janë, por dhe me rikthim me mësimdhënie në formën e masterclaseve.

Tedi Papavrami ishte një nga ata dhe të them të drejtën, ka qene shoku im i fëmijërisë. Kemi pasur një rrugëtim shumë të bukur bashkë në rrugën për të ardhur në mëngjes në shkollë, në ato vite me autobus dhe kur erdhi këtë vit, unë nuk kisha rastisur ta takoja asnjëherë pas shumë e shumë vitesh, bëmë një shëtitje në Lice dhe Liceu ka ndryshuar, nuk është më siç ka qenë dikur. Unë kam pasur fatin që ta njoh që 6 vjeç, edhe e di mirë si ka qenë dikur. Edhe nga shëtitja që bëm me Tedin filluam të kujtonim disa kujtime të jashtëzakonshme”, u shpreh Kolnikaj./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!