Kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, këtë fundjavë zgjodhi ta kalojë në Librazhd. Ai inspektoi rikonstruksionin e një kopshti për fëmijë, ndërkohë që vlerësoi kryebashkiakun e qytetit.
Ky kopësht në periferi të Librazhdit ka ndryshuar pamje. Bashkia e qytetit ka realizuar rikonstruksionin e plotë të tij. Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla shkoi për ta inspektuar, ndërkohë që nuk i kurseu lëvdatat për kryebashkiakun Kastriot Gurra.
“Në krye të Bashkisë së Librazhdit kemi pasur një njeri shumë të përkushtuar, siç është Kastrioti, i cili ka ditur, si një kryefamiljar i mirë i një familje të madhe, t’i ndajë ku janë nevojat. Pas qendrës shëndetësore, kopshtit, pas sistemimit të qendrës së lagjes, pas sistemimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve të ujërave të zeza, besoj që bashkia ka shlyer detyrimet e veta. Megjithatë, për të gjithë ne çështja më e rëndësishme mbetet ajo e punësimit ku kemi plot të rinj e të reja të cilët janë pa punë dhe beteja jonë me punësimin është një betejë të cilën duhet ta fitojmë së bashku.”
Ndërkohë, kryetari i bashkisë vuri theksin tek investimi në vijim, ai për ujin e pijshëm duke garantuar furnizim pa ndërprerje./abcnews.al