Në Libi është rikthyer dhuna, një javë pasi OKB njoftoi armëpushimin mes milicive. Zyrat e kompanisë shtetërore të naftës në Tripoli janë sulmuar nga një grup i armatosur. Dyshohet që agresioni të ketë ndodhur për shkak të rivalitetit për kontrollin e sektorit fitimprurës të naftës.
Një grup i armatosur ka bastisur zyrat qendrore të Koorporatës Kombëtare të Naftës në Libi. Forcat e sigurisë janë detyruar të përfshihen në një shkëmbim zjarri me agresorët në ambientet e kompanisë që ndodhet në qendër të Tripolit.
Një zyrtar vendas ka deklaruar se të paktën dy anëtarë të stafit të koorporatës dhe dy agresorë të armatosur kanë mbetur të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ngjarja vjen pak ditë pasi Kombet e Bashkuara njoftuan se mes milicive rivale në vend ishte vendosur një armëpushim.
Aktualisht në vendin e përfshirë nga kaosi në pushtet ndodhet qeveria e mbështetur nga OKB, por milicitë kontrollojnë pjesën dërrmuese të territorit. Një anëtar i stafit të korporatës shtetërore ka deklaruar se të paktën 5 persona u futën në selinë e agjencisë dhe hapën zjarr.
Sipas tij, persona të shumtë janë qëlluar. Ndërkohë që drejtori i grupit është evakuuar nga ndërtesa dhe ndodhet në një vend të sigurtë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur skuadrat speciale dhe ato të ndihmës së shpejtë, që u kanë ardhur në ndihmë të plagosurve.
Ende nuk dihet se kush fshihet pas sulmit, por sektori i naftës është kryesori për ekonominë e Libisë dhe është bërë shpesh herë objekt konfliktesh mes milicive për kontrollin e tij, që nga rënia e liderit historik Muamar Gadafi në vitin 2011./abcnews.al