Lezhë, zyrtarëve u lihet një javë kohë për të paguar faturat e ujit

schedule13:51 - 25 Janar, 2018

schedule 13:51 - 25 Janar, 2018

Në Lezhë para se të nisë aksioni për ujin e pijshëm u është kërkuar që fillimisht të paguajnë zyrtarët dhe të gjithë punonjësit e administratës. Atyre u është lënë një javë kohë

Prefekti i Lezhës Gjergj Prendi u paraqit në takimin me drejtorët rajonalë me librezat e paguara të ujit dhe energjisë para se të kërkonte ndaj institucioneve shlyerjen e të gjitha detyrimeve.

Sipas Prendit është e pafalshme t’u kërkosh qytetarëve të mbyllin debitë, kur në fakt vetë institucionet dhe punonjësit e tyre janë debitorë.

Ndërsa ka kërkuar shlyerjen e detyrimeve ndaj ujësjellësit dhe legalizimin e lidhjeve të paligjshme, Drejtori i sh.a ujësjellës kanalizime në Lezhe Zef Maçi ka folur për një fenomen ku janë individët dhe bizneset me të ardhura të larta që nuk duan të paguajnë.

Aksioni e qeverisë për ujin e pijshëm dhe mjedisin e ka konsideruar të drejtë kreu i bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, por në rastin e njësisë së tij ka kërkuar vëmendje më të madhe ndaj Mjedisit, pasi Lezha është zonë me fokus turizmin.

Është lënë pak më shumë se 1 javë kohë që institucionet të sjellin të gjithe informacionin për detyrimet që ata dhe administrata e tyre ka ndaj ujësjellësve në Qarkun e Lezhës./abcnews.al