Eshtë shtyrë për të hënën, në seancën që do nisë në 9 të mëngjesit, vendimi i gjykatës për vlerësimin e masës së sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Lezhës, Fran Frrokaj dhe 12 zyrtarëve të tjerë, që u arrestuan të premten, për abuzim me pronat. Ishte parashikuar që seanca gjyqësore të zhvillohej mëngjesin e kësaj të diele, por që në mëngjes u vu re një grumbullim i mbështetësve të kryebashkiakut Frrokaj, para ambienteve të policisë, ku ai po mbahet prej të premtes.
Kur para policisë mbështetësit u shumëfishuan, Gjykata e Lezhës njoftoi se vlerësimin e masës së sigurisë për kryetarin e Bashkisë së Lezhës do të bëhej të hënën.
Turma e njerëzve kërkonte lirimin e Frrokajt. Arrestimin e tij e cilësojne politik dhe që ka lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale. Ata thonë se në Lezhe ka patur mjaftueshëm të tjerë zyrtarë për të arrestuar, për të cilët është faktuar përfshirja në krim dhe korrupsion. Protestuesit kërkuan mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike që sipas tyre duhej të ishin bashkë me ta.
Qytetari 1: “Kemi ardhur sepse ky arrestim është bërë direkt si komunistët”.
Qytetari 2: “Është totalisht politike dhe këtë punë mendoj se e ka bërë ai që do të kandidojë përballë tij”.
Qytetari 3:“Edhe akuzat janë false dhe pabaza”.
Qytetarja 4: “Ja ku e keni falsifikimin dhe shkeljen që e ka bërë kryetari i Bashkisë në 2001, 2003”.
Qytetari 5: “Kryetari i opozitës po rri në heshtje, për ne po rri në heshtje. Megjithë deputetët duhet me qenë ketu”.
Qytetari 6: “Ndenjëm 3 muaj në çadër, zoti kryetar shkoi bëri marrëveshje me Edi Ramën edhe na theu ne të çadrës që nejtëm 3 muaj”.
Edhe kryetari i Partisë Demokratike në Lezhë, Paulin Marku, ka të njëjtin mendim me mbështetësit. Për Markun, ky është një sulm politik.
Paulin Marku: “Nuk jemi asnjëherë kundër zbatimit të ligjit, por jo ligj me profil politik”.
Hetimet që çuan në arrestimin e Kryebashkiakut të Lezhës dhe te 11 zyrtarëve nisën në vitin 2017, kur një qytetar, Pjetër Prela, në Korrik iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme me një kallëzim për tjetërsimin e sipërfaqes së tokës në Shëngjin, në vendin e quajtur Rana e Hedhun.
Prokuroria regjistroi procedimin penal në Shtator të të njëjtit vit me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa në 16 Shkurt 2018 Prokuroria e Lezhës ngriti akuzën për shpërdorim detyre ndaj zyrtarëve që ishin në hetim.
Nga hetimet paraprake të Prokurorisë rezultoi se parcelat e pronave në hetim në Malin e Rencit dhe Malin e Shëngjinit janë terren pyll dhe pisha, si dhe rërë. Duke iu referuar fakteve në lidhje me pronat, u krijuan dyshime se janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin gjatë procedurave të tjetërsimit të këtyre pronave nga institucionet dhe përfaqësuesit e tyre./abcnews.al