Lezhë, fëmijët rikthejnë muzikën klasike

schedule14:27 - 10 Mars, 2019

schedule 14:27 - 10 Mars, 2019

Nxënësit e klasave të muzikës në shkollën “Besëlidhja” në Lezhë, u kanë ofruar artdashësve një koncert pranveror me muzikë klasike. Në këtë qytet kishte vite që nuk organizohej një event i tillë.

Rikthyen në skenë muzikën klasike. 4 vjet nga çelja e klasave të muzikës në Lezhë sollën koncertin e tyre të parë për publikun. Koncerti pranveror me ansambël harqesh, kuartete dhe nga kori i shkollës “Besëlidhja” tërhoqën vëmendjen dhe duartrokitjet e publikut. Salla ishte plot për të shijuar diçka ndryshe. Edhe spektatorët janë emocionuar nga risia që erdhi në qytetin e tyre.

“Kjo është një risi, diçka shumë e bukur për qytetin tonë”.

“Absolutisht fantastike, shumë e veçantë”.

“Shumë e bukur, emocion i paparë duke parë fëmijët duke performuar”. 

Kaluan një emocion të bukur edhe artistët e vegjël. Ata tregojnë se përjetuan ndjesi të bukur. Muzika e luajtur ishte një përzgjedhje e autorëve botërorë që prezantonte optimizëm.

“Unë luajta tre pjesë dhe u ndjeva shumë mirë”.

“Unë luajta një këngë të Pjetër Gaçit. Kiusha pak emocione, po i hoqa”.

Në backstage mësuesit inkurajonin muzikantët e vegjël. Udhëheqësi artistik i koncertit Sokol Vuka pranon vështirësitë për të realizuar të tilla koncerte. Krijimi i orkestrës është sfida e tyre.

Sokol Vuka: Nuk është e lehtë që të krijosh ansambël me fëmijë. Na është dashur të punojmë shumë për të arritur këtu dhe këtë do e avancojmë më tepër duke krijuar grupe të tjera dhe në të ardhmen të krijojmë orkestrën e kësaj shkolle që do të jetë e ardhmja e këtij qyteti për të pasur sa më shumë aktivitet muzikore.

Vuka thotë se injektimi tek publiku i këtij zhanri artistik po vijon dhe salla e mbushur tregon se ekzistojnë dashamirës të saj.

Sokol Vuka: Duke parë që Lezha nuk ka një traditë në këtë drejtim ne kemi filluar që ata injektojmë pak nga pak këtë gjuhë muzikore dhe duke u munduar. Sot ishte një sukses i madh. Është pritur mirë dhe nga publiku dhe prindërit.

Drejtori i Arsimit, Bardhok Pulaj, thotë se në Lezhë po ndodh diçka e bukur dhe se këta fëmijë do të jenë talentet e muzikës në këtë qytet.

Bardhok Pulaj: Në fakt, unë jam shumë i kënaqur. Po ndodh diçka shumë e bukur. Po mësojnë nxënësit. Po përpiqemi bashkë me mësuesit e talentuar që kemi dhe shpresoj që shkolla “Besëlidhja” në këtë nismë që po vazhdon të përgatisë talente të vërtetë. Ne po i shohim. Jam shumë i kënaqur. Sot ishte një ditë e bukur për prindërit dhe fëmijët.

Koncerti pranveror i nxënësve të shkollës “Besëlidhja” ishte freskia e kësaj fillim pranvere për qytetin kulturdashës të Lezhës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!