Lezhë, dajë e nip humbin jetën teksa po pastronin një pus

schedule18:31 - 24 Shtator, 2018

schedule 18:31 - 24 Shtator, 2018

Dajë e nip të cilët po punonin për pastrimin e një pusi në fshatin Torovicë të Lezhës kanë humbur jetën nga asfiksia. Banorët të cilët ishin dëshmitarë në vendngjarje thonë se ambulanca dhe shërbimi zjarrfikës përveç se nuk kanë ndërhyrë në kohë erdhën edhe pa mjetet e duhura për të dhënë ndihmën e shpejtë.

Kishin gjithë ditën që punonin për pastrimin e pusit të ujit. Pas disa orësh qëndrimi në 15 metra thellësi dajë e nip u asfiksuan dhe për pasojë humbën jetën.

Viktimat janë Martin Gjonaj, 21 vjeç dhe Marjan Ndoci,35 vjeç. Ngjarja ndodhi në fshatin Torovicë të Lezhës.

Në ndihmë të tyre shkuan të afermit dhe banorët e zonës. Më vonë mbërriti ambulanca, shërbimi zjarrfikës dhe policia.

Njëri prej banorëve tregon se si i nxorri nga pusi dy trupat e pajetë.  Ai thotë se policia dhe shërbimi zjarrfikës erdhi pa mjete kundra gaz.

“Erdh shteti s’patën as gaz as kundragaz, u futa pa gaz, pa sen, i lidha dhe i nxorra”

Banori, dëshmitar në vendngjarje pretendon se mund t’i kishte shpëtuar nëse do ta kishin lejuar të futej në pus në kohë.

“Ndenja 40 minuta këtu, po të kisha hyrë do t’i kisha shpëtuar”.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, po heton për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Dyshohet se daje e nip kanë gjetur vdekjen nga asfiksia./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!