Lezha bllokohet nga trafiku dhe parkimet keq

schedule15:35 - 26 Prill, 2018

schedule 15:35 - 26 Prill, 2018

Në qytetin e Lezhës është shumë e vështirë të lëvizësh edhe pse akoma nuk ka nisur sezoni veror. Kjo për shumë arsye. ABC News foli me banorë, autoritet e policisë dhe të bashkisë.

Makina e policisë qëndron dysh edhe pse nuk ka ngjarje. Kurse kjo autoambulancë e parkuar keq ka bllokuar trafikun. Qarkullimi në Lezhë nuk është diçka e lehtë. Ata që nuk e njohin këtë qytet mbesin në trafik ose pa parkim. Tendenca për t’u grumbulluar në qendër e ka kthyer qytetin të paqarkullueshme.

Banorët kërkojnë që policia të jetë prezente. Thonë se kaosi po ua merr frymën çdo ditë. Në brendësi të lagjeve, situata është akoma më e rëndë. Trotuarët zaptohen nga makinat, kurse qytetarët lëvizin në rrugë.

Për shefin e Policisë Rrugore, Adriatik Huti, problem me qarkullimin ndodh për shumë arsye. Që nga rrugët dhe kryqëzimet e papërshtatshme, sinjalistika dhe deri tek mungesa e punonjësve të Policisë Rrugore.

Autoritetet e bashkisë u bëjnë thirrje drejtuesve se në periferi, jo më shumë se 500 metra larg qendrës ka vend për parkim. Në sezonin veror, numri i mjeteve në Lezhë trefishohet, e kjo do të thotë më shumë probleme nëse nuk zgjidhen, ato që ngrihen nga qytetarët dhe vete institucionet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!