Leximi i Kuranit/ Gjatë Ramazanit, përkushtim më i madh ndaj librit të shenjtë

schedule15:48 - 22 Mars, 2025

schedule 15:48 - 22 Mars, 2025

Ramazani është muaji i sakrificës sublime ndaj zotit dhe frymëzimit për vepra të mira. Një ritual i rëndësishëm gjatë këtij muaji është edhe leximi i kuranit. Besimtarët në ramazan janë më të përkushtuar ndaj librit të shenjtë.

Haxhi Aga, besimtar i devotshëm mysliman, çdo ditë preferon që kuranin ta lexojë në një nga xhamitë e kryeqytetit.

“Është fjala e Zotit të madhërueshëm që thotë e zbritëm Kuranin që të studiojnë argumentet e tij ata që kuptojnë. Jo vetëm me e lexuar, por me medituar”, thotë ai.

Librin e shenjtë e ka lexuar për herë të parë në vitin 1975, pak vite pasi diktatura u ndaloi shqiptarëve besimin në Zot dhe shkatërroi objektet e kultit.

“E kisha fatin sepse babai ishte besimtar i devotshëm, kishim edhe miq të tjerë që më shtynin në drejtim të dijes tek ata që dikur kishin qenë në medresenë e Tiranës. Shkoja dhe në qytete të tjera që merrja libra”

Nga kurani ka mësuar shumë, por mes shumë mesazhesh që ka marrë, 73-vjeçari veçon këtë.

“Mësoni, lexoni. Dhe një fjali tjetër: nuk barazohen ato që di, me ato që nuk di. Pejgameri ynë thotë tre gjëra: ose mëso vete, ose nuk ke di të lexosh, dhe s’ke mundësi ose dëgjo atëherë tek të diturit, e treta pyet, i katërti mos u bën, çdo sen’ është një sen’, padituria nuk është asnjë sen’, thotë Haxhi Aga.

Por përse ka një rëndësi të veçantë leximi i Kuranit gjatë kësaj periudhe?

“Muaji i Ramazanit njihet ndryshe edhe si muaji i Kuranit. Në këtë muaj të shenjte ka nisur të zbresë kurani, në natën e Kadrit, një natë me vlerë më shumë së 1 mijë muaj”, thotë Imami.

Imami Enes Hyka lexon çdo ditë pas faljes, Kuranin për besimtarët në xhaminë e Et’hem Beut në kryeqytet.

“Kurani ndahet në 30 pjesë, çdo pjesë ka 20 faqe, quhen sixhuze. Ne çdo dite lexojmë nga 20 faqe”, thotë ai.

Ai vetë librin e shenjtë e ka mësuar përmendësh dhe njihet ndryshe si hafiz.

“I vetmi libër që njeriut asnjëherë nuk lodhet së lexuari atë”

Përveç leximit të kuranit, në këtë muaj të shenjtë, besimtarët myslimanë përpiqen të forcojnë më shumë ndjenjën e solidaritetit, për të qenë më pranë njerëzve në nevojë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!