Lëvizjet e fundit të opozitës, Kryemadhi i shkon Bashës në zyrë

schedule19:55 - 23 Shkurt, 2021

schedule 19:55 - 23 Shkurt, 2021

Një ditë para dorëzimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të listës së koalicionit opozitar, Monika Kryemadhi dhe Lulzim Basha kanë zhvilluar një takim.

Gazetari Juxhin Mustafaraj raporton se Basha dhe Kryemadhi janë takuar pasditen e sotme në selinë e Partisë Demokratike.

Ky takim vjen si lëvizje e orëve të fundit, ndërkohë kujtohet se deri më tani PD dhe LSI kanë deklaruar se do të garojnë në 25 prill me lista të ndara, me logo më vete.

Megjithatë, Kryemadhi nuk e ka përjashtuar garimin në një listë të përbashkët, në disa zona ku do gjykohet se është më pozitive kjo mënyrë.

Abcnews.al raportoi më herët emrin e koalicionit opozitar që pritet të regjistrohet nesër në KQZ. Opozita do të kandidojë përballë PS së Edi Ramës, me koalicionin “Shqipëria Fiton”.

Ndërkohë, nesër mbyllen marrëveshjet e PD me aleatët. Këta të fundit do të shkojnë në selinë blu për të firmosur.

Nesër është afati i fundit për Lulzim Bashën që të dorëzojë në KQZ, listën e koalicionit opozitar dhe emrin, që tashmë është zgjedhur.

Të gjithë partitë që do të jenë në koalicion me PD janë regjistruar në KQZ, por emrat e kandidatëve të tyre do të jenë të përfshirë në listën e Partisë Demokratike dhe do të bëhen publike në 5 mars. g.v/abcnews.al