Lëvizje “tektonike” në më pak se 24 orë në politikën shqiptare

schedule09:14 - 25 Korrik, 2022

schedule 09:14 - 25 Korrik, 2022

Lëvizje “tektonike” mund të quhen këto që kanë ndodhur në më pak së 24 orë në politikën shqiptare. Ilir Meta dorëzoi dje Presidencën te pasuesi i tij Bajram Begaj për t’u rikthyer në politikën aktive.

Pas pesë vitesh si kryetar shteti, në një mandat të pazakontë, me përplasje të forta dhe i cilësuar si “president opozitar”, Meta duket se është gati për të marrë drejtimin e LSI.

Mëngjesin e sotëm, në një foto me bashkëshorten, Monika Kryemadhi, të cilës i besoi drejtimin e partisë ai ka shkruar për “shpresë dhe horizont të ri”. Ndërkohë që LSI ka përgatitur terrenin, pasi mban sot Konventën Kombëtare në orën 19:00 dhe pritet që Meta të konfirmohet si kryetar.

Me “shkundje” të forta ka nisur herët kjo e hënë edhe në qeveri. Kryeministri Edi Rama njoftoi sot se ka shkarkuar Arben Ahmetajn, nga dy postet e rëndësishme që mbante, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Shtetit për Rindërtimin. Ahmetaj, i cilësuar si më i besuari i Edi Ramës, tani mbetet deputet i thjeshtë dhe zëvendësohet nga Belinda Balluku. Kjo e fundit është tashmë numri dy i qeverisë Rama.

Po ashtu, kryeministri ka shkarkuar dhe Zef Mazin si Kryenegociator. Ai do të zëvendësohet nga Majlinda Dhuka, që do të jetë Kryenegociatore dhe Ministre e Shtetit. Rama i argumenton këto ndryshime duke thënë se tani nuk është më në plan të parë Rindërtimi, por negociatat me BE-në, pas çeljes së tyre.

Zhvillimet e këtij fund korriku janë të vrullshme dhe duket se shtatori do të jetë më i nxehtë se zakonisht. Gjithçka mbetet për t’u parë. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!