Ilir Avdyli nuk ka humbur shumë kohë dhe ka gjetur ekipin e ri. Portieri nga Podujeva, i cili kaloi sezonin e fundit te Kukësi, ka firmosur me Feronikelin në IPKO Superligë, skuadër që gjatë ditës së sotme prezantoi edhe Bedri Grecën.
Avdyli ka një eksperiencë të madhe, teksa ka luajtur me ekipe si Hajvalia, Ferizaj, Tirana, Llapi, Shkëndija e Tetovës, Kamza dhe Kukësi. 30-vjeçari ka firmosur kontratën me ekipin nga Drenasi, që do të nisë fazën përgatitore në datë 10 gusht.
Merkato edhe te Shkupi. Klubi shqiptar i Maqedonisë së Veriut, ka forcuar repartin e sulmit me një rus. Bardhekaltrit kanë firmosur një kontratë 3-vjeçare me Dzhamal Dibirgadzhiev. 24-vjeçari vjen nga Chernomorets Novorossijsk.
Bomberi shtatlartë ka firmosur kontratën me klubin shqiptar në Stamboll dhe ditën e nesërme do të zbarkojë në Çair, për t’u bashkuar me ekipin e drejtuar nga Muharrem Bjarami. /abcnews.al