Pavarësisht formës jo të mirë, që po kalon, teksa në tre ndeshjet e fundit ndaj Vllaznisë, Egnatia e Dinamo City ka regjistruar tre humbje, “Shijakasit” e Erzenit kanë treguar se janë ajo lloj skuadre, që luftojnë deri në “frymën e fundit” për objektivat e tyre, ku në këtë sezon padyshim është mbijetesa në elitën e futbollit shqiptar, paçka se duket goxha e vështirë.
Në të tilla rrethana, brodi i “Shijakasve” ka vendosur të marrë një vendim të papritur, teksa ka emëruar një trajner të ri, me 49-vjeçarin, Skerdi Bejzade, i cili do të marrë menjëherë “frerët” e ekipit në duar, me debutimin e madh, që do të jetë përballja e pasdites të së dielës, në “Air Albania”, ndaj “Bardhebluve” të Tiranës.
Mirëpo, pavarësisht ardhjes së Bejzades, në ekip nuk do të ketë shkarkime, me Alfred Deliallisini, i cili nga tekniku i “Shijakasve” do të marrë postin e Drejtorit Sportiv, me dyshen, që do të tentojë së bashku që të arrijnë mbijetesën në elitë këtë sezon të Superiores, duke filluar që nga sfida e ardhshme në kryeqytet.
Ndërkaq, sa i përket eksperiencave më të hershme, të 49-vjeçarit të pankinës, “avenutrën” tek Erzeni, Bejzade e ka të tretën, pas sezonit 2010-2011, ku qëndroi nga dhjetori në qershor, te skuadra e Kamzës, si dhe në këtë fillim sezoni ishte tekniku i “Bardhezinjve” të Laçit, për vetëm 5 ndeshje, ku arriti të regjistronte 2 fitore e 3 humbje. /i.m /abcnews.al