Oferta për bisedime që Shtetet e Bashkuara i kanë bërë Ankarasë në lidhje me rastin e pastorit amerikan që mbahet i burgosur në Turqi ka bërë që lira turke të rimëkëmbet të hënën në tregjet financiare.
Lira turke u rrit me mbi 3 për qind të hënën, e nxitur nga deklarata e sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo se gjatë javës do të zhvillojë bisedime me autoritetet turke në lidhje me fatin e pastorit amerikan i burgosur në Turqi.
Lira ra me 40 për qind kundrejt dollarit këtë vit për shkak të përplasjes mes Ankarasë dhe Uashingtonit dhe kontrollit të rreptë monetar të presidentit Erdogan mbi politikat monetare. Presidenti Trump ndëshkoi Turqinë me tarifa për shkak të burgosjes e më pas dënimit me arrest shtëpie të pastorit evangjelist Andreë Brunson, nën akuzën e mbështetjes së grushtit të shtetit kundër Erdogan.
Duke folur për gazetarët në Nju Jork, Pompeo tha se pret që bisedimet me palën turke të mbahen këtë javë, kohë kur Erdogan do të vizitojë Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në asamblenë e përgjithshme të OKB-së.
“Kemi folur me turqit, ata i dinë pritshmëritë tona. Pastori Brunson dhe shtetas të tjerë amerikanë që mbahen nga autoritetet turke duhet të lirohen menjëherë”, tha Pompeo./abcnews.al