Lëvizja e fundit shtrëngon “lakun” për të pavaksinuarit

schedule20:28 - 1 Dhjetor, 2021

schedule 20:28 - 1 Dhjetor, 2021

Një dinamikë e re në debatin për vaksinimin e detyrueshëm ka shkaktuar qëndrimi i Presidentes së Komisionit Europian. Ursula von der Leyen tha të mërkurën se ishte “e kuptueshme” dhe ndoshta “e përshtatshme” për të filluar këtë debat, domethënë se si “mund të inkurajojmë dhe ndoshta të shqyrtojmë vaksinimin e detyrueshëm në BE”. Ajo shtoi se “kjo është diçka që kërkon diskutim dhe qasje të përbashkët dhe se është një diskutim që besoj se duhet bërë”.

Qeveria e re gjermane mund të jetë katalizator i zhvillimeve. Të mërkurën, me propozimin e Solts për vaksinimin e detyrueshëm, edhe liberalët duket se po zhvendosen nga refuzimi fillestar drejt pranimit të propozimit përkatës që do të përmbajë një nga projektligjet e para të qeverisë së re.

Gjoba të rënda në Austri

Austria është gati për gjoba të rënda për qytetarët e pavaksinuar të të gjitha moshave, sipas një projektligji, mes një shpërthimi rastesh, dhe ndërkohë që dy milionë të pavaksinuar janë tashmë në status bllokimi. Sipas projektligjit, nga shkurti i vitit 2022 kërkohet të vaksinohen të gjithë austriakët mbi 12 vjeç. Ata që refuzojnë do të gjobiten deri në 7200 euro, sipas një projektligji austriak për vaksinimin kundër COVID-19.

Vaksinimi i detyrueshëm do të zbatohet për të gjithë personat që banojnë në Austri. Përjashtohen nga legjislacioni vetëm ata që nuk mund të vaksinohen për shkak të rrezikut për jetën dhe shëndetin e tyre. Përjashtimet pritet të zbatohen “pjesërisht” për gratë shtatzëna.

Vaksinimi i detyrueshëm për të gjithë është regjistruar edhe në Belgjikë. Gati 6 në 10 belgë, sipas një sondazhi të publikuar të mërkurën janë në favor të vaksinimit të detyrueshëm për të gjithë të rriturit. Përqindja ulet në 46% kur pyetja ka të bëjë me të miturit 12-17 vjeç dhe në 37% për fëmijët nën 12 vjeç. Megjithatë, 45% e të anketuarve që janë prindër të fëmijëve nën moshën 12 vjeç thonë se janë gati të vaksinojnë fëmijën e tyre nëse vaksina miratohet për këtë grupmoshë.

“Karrota” në mbi të 60-at nga Sllovakia

Sllovakia, nga ana tjetër, zgjedh rrugën e motivimit. Qeveria ka vendosur të japë kuponë prej 500 euro për të rriturit mbi 60 vjeç që do t’i nënshtrohen vaksinimit të plotë. Vendi me 5.5 milionë banorë është në izolim të plotë pasi normat e incidencës për frymë janë ndër më të këqijat në botë.

Zvicra do të vendosë më vonë këtë javë nëse do të rivendoste masa të rrepta, nën kërcënimin e variantit të ri. Danimarka po merr masa të reja. Ndërkohë që Franca po shtrëngon kuadrin e hyrjes në vend nga vendet jashtë BE-së, duke kërkuar në raste të tilla një test negativ 48 edhe nga të vaksinuarit.

Varianti “Omicron” është zbuluar në mbi 20 vende, dhe qeveritë në mbarë botën po imponojë masa të reja për të frenuar përhapjen. “Omicron” është zbuluar gjithashtu në Australi, Austri, Belgjikë, Botsvanë, Brazil, Kanada, Republikën Çeke, territorin francez të Ryunion, Gjermani, Hong Kong, Irlandë, Izrael, Itali, Japoni, Holandë, Nigeri, Portugali, Afrikën e Jugut, Spanjë, Suedi dhe Mbretërinë e Bashkuar./ Abcnews.al