Armando Sadiku do të rikthehet te Levante me përfundimin e huazimit te Malaga, klub me të cilin ka shënuar 13 gola. Sulmuesi është nën kontratë edhe një vit, ndërkohë që për të ka një ofertë nga Greqia. “Gazzetta.gr” raporton se sulmuesi i kombëtares shqiptare është një prej opsioneve për sulmin e Aris Selanik.
Gjithsesi nuk është shumë e lehtë për t’u bërë kjo lëvizje. Levante ka shpenzuar për të 1 milion euro dhe nuk e lë të lirë. Në raste huazimi, klubi spanjoll synon t’ia rinovojë kontratën Sadikut edhe me një vit tjetër, deri në qershor të vitit 2022.
Problemi tjetër lidhet me pagën e sulmuesit. Në Spanjë ai përfiton 500 mijë euro në sezon dhe në rast se Levante e jep në huazim, atëherë paguan maksimalisht vetëm 100 mijë euro dhe pjesën tjetër duhet ta paguajë Aris.
Një shumë e madhe për klubin grek, që mund të mendojë të konkretizojë marrëveshjen me ndonjë sulmues tjetër. Gjithsesi kjo pistë mbetet e hapur dhe mund të ndihmohet nga vetë Sadiku, nëse ai do të pranojë ulje page. /abcnews.al