“Letrat e dashurisë tashmë do të jenë në një libër”, rrëfehet bashkëshortja e Teodor Kekos

schedule09:34 - 16 Janar, 2024

schedule 09:34 - 16 Janar, 2024

Në një rrëfim në emisionin “Pas Mesnate”, bashkëshortja e poetit dhe shkrimtarit të madh, Teodor Keko, Xhuli Keko ka treguar qëllimin e saj për vitin 2024. Bëhet fjalë për një libër, në të cilin ajo do të përmbledhë letrat e dashurisë që i ka shkruar Teodori asaj dhe ajo bashkëshortit të ndjerë.

Xhuli ka ndarë emocionet, duke u shprehur se i mungon shumë ai, letrat që i shkruante, kafja e mëngjesit dhe karafilat që i dhuronte.

Ishte e vetmja mënyrë për të komunikuar me Dorin. Erdhi një moment që fëmijët u rritën dhe kisha nevojë të komunikoja. Jeta mori rrjedhën e saj, nuk isha më ajo mamaja e dedikuar që duhet të vrapoja nëpër shtëpi, të kujdesesha për fëmijët, sepse ata krijuan familjen e tyre. E ndjeva të nevojshme, kisha shumë të nevojshme të komunikoja me Dorin dhe kështu nisa të shkruaja letrat. Më pas, erdhi një moment që u rritën nipërit, veçanërisht Teo, se ai është më i madhi dhe ndjeva nevojën që ai të njihte gjyshin se nuk e ka takuar kurrë. Mendova që t’i plotësojë letrat, t’i përmbledh në një libër, bashkë me poezitë dhe bashkë me disa letra që Dori më ka lënë dhe të bëj një libër të vogël, të cilin dua t’ia dedikoj Teos. Ky është viti përfundimtar, nuk ka më kohë. Deri tani janë bërë tetë letra, pesë që mi ka dërguar Dori, që mi linte në tavolinë. Janë poezitë që ka shkruar për mua dhe unë që t’i plotësojë.

Ndonjëherë përveç letrave, më linte dhe karafil, pasi Dori zgjohej herët në mëngjes, në ndryshim nga unë. Blinte gazetën, që ta kemi parasysh përpara 25 vjetëve dhe gjithmonë më blinte një karafil, ma linte në tavolinë. Kur unë çohesha e gjeja kafen e ngrohtë. Sigurisht që nuk merrja përditë letra, por në momente të caktuara, e ndjente të nevojshme të më qetësonte me një letër”, tregoi e prekur Xhuli./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!