Historiani Kastriot Dervishi ka publikuar një letër e cila daton në 6 janar të vitit 1993, me të cilën është kërcënuar atëkohë artisti i mirënjohur, i cili humbi jetën nga Covid-19 ditën e djeshme, Koço Devole.
Në letrën kërcënuese që i është dërguar artistit, sipas historianit shkruhet:
“Ju dërgoj këngën të quajtur ‘Gjirokastër shkëmb e gurë, lindje djalë e bërë burrë, sa ishje gjallë të hëngrën mjunë, Gjirokastër nxore burra, sa ishte gjallë s’ua mbante suma, të hash mjutin, belget atje ku ka rënë. V.O: je i dënuar me vdekje. Merimanga”.
Dervishi shkruan se kjo letër është dërguar në adresë të artistit, pas debutimit të tij së bashku me aktorin Vasillaq Vangjeli, në telekomedinë “Gjuetia e Fundit”.
Në këtë komedi Devole kishte rolin e “Sillos” ndërsa Vasillaq Vangjeli rolin e ish-diktatorit , Enver Hoxha.
Sipas historianit, kategoria enveriste dhe persekutorët, siç i quan ai u ndjenë keq nga ky rol, dhe filluan kërcënimet.
Postimi:
Kur Koço Devole kërcënohej me vdekje
Veçantia e enveristëve dhe të indoktrinuarve është se preken sa herë publikohen krime të regjimit të Enver Hoxhës në masën sikur t’i kishin kryer vetë ato. Edhe kur u shfaq telekomedia “Gjuetia e fundit” me protagonistë kryesorë aktorët e mirënjohur Vasillaq Vangjeli dhe Koço Devole, kategoria injorante enveriste dhe persekutorët u ndjenë keq dhe filluan kërcënimet. Forma më e njohur e kohës ishin letrat anonime, të barabarta me profilet false që hasim sot në blogje apo rrjete sociale. Letra kundër Koço Devoles i takon datës 6.1.1993. Pasi cilësohej “hipokrit”, “dallkauk”, “maskara i pacipë”, kërcënuesi që pa dashje paraqitet me emër fals e pseudonim, pra edhe “Th.Laboviti” dhe “Merimanga”, shkruan: “Ju dërgoj këngën të quajtur ‘Gjirokastër shkëmb e gurë, lindje djalë e bërë burrë, sa ishje gjallë të hëngrën mjunë, Gjirokastër nxore burra, sa ishte gjallë s’ua mbante suma, të hash mjutin, belget atje ku ka rënë. V.O: je i dënuar me vdekje. Merimanga”.
Në vitin 1997 kur profilet false morën pushtetin, hakmarrjen ia zbrazën Koço Devoles duke e hequr nga puna nga Televizioni Shqiptar, si i “paaftë”. Janë këto profile, gjoja në emër të artit që shfaqin pafund filma propagandistikë pro diktaturës komuniste.
n.d./abcnews.al