Të gjithë tifozët e Italisë po presin me padurim mbrëmjen e së premtes. Italia do përballet me Turqinë në “Olimpico” të Romës (21:00), dueli hapës i Euro 2020. Trajneri i kombëtares së kaltër, Roberto Mancini ka shkruar një letër për tifozët, duke i karikuar ata përpara nisjes së kompeticionit.
Viti i kaluar ka qenë i vështirë për të gjithë njerëzimin, sidomos për Italinë, që iu desh të përballej me një stuhi dhe valë të frikshme të pandemisë së koronavirusit. Kombëtarja italiane shpreson t’u dhurojë tifozëve emocione sa më të bukura në Euro 2020.
“E dashur Itali
Duket sikur ka kaluar një përjetësi që kur morëm kualifikimin atë mbrëmje në Olimpico kundër Greqisë. Ishte tetor 2019, ishim euforik dhe para nesh ishte mundësia të ktheheshim në Olimpico disa muaj më vonë dhe të merrnim një kënaqësi të madhe sportive në Euro 2020.

Viti 2020 duhet të ishte viti i kënaqësisë së madhe, viti në të cilin do të ndanim një gëzim së bashku, por të gjithë e dimë se çfarë ndodhi.
Ishte një vit në të cilin ne ndryshuam zakonet dhe sjelljet tona, disa qëndruan me muaj larg njerëzve të dashur, e disa të tjerë fatkeqësisht humbën njerëzit që duan. Muaj në të cilët gjërat më të thjeshta u bënë komplekse. Për askënd nuk ishte e lehtë, megjithatë secili ia doli në mënyrën e vet.
Pasojat e pandemisë globale janë ende të dukshme dhe do na duhet të jemi të fortë edhe për një farë kohe. Sporti në këto momente, siç kam thënë më shumë se një herë, është një mjet thelbësor i jetës sonë.
Mund të na ndihmojë të ndihemi më mirë, mund të na ndihmojë të shkëputemi përkohësisht nga disa mendime ose momente të komplikuara. Sporti mund të na japë shumë emocione pozitive. Në këto momente, më shumë se kurrë, kemi nevojë ekstreme për këtë sport.
Ekipi ynë kombëtar, në Kampionatin Evropian që do të fillojë për disa orë, është i vetëdijshëm për përfaqësimin e një populli fantastik dhe të vendosur, dhe për këtë arsye, unë së bashku me stafin dhe 26 djemtë që do të zbresin në fushë, do të shfrytëzojmë të gjitha minutat e kësaj ngjarje për të nderuar vendin që ne përfaqësojmë.

Ne e dimë që ndeshjet tona do të jenë një moment bashkimi i miliona italianëve, do të jenë momente gëzimi që do të na bëjnë të harrojmë për disa çaste vitin që lamë pas. Kjo është arsyeja pse ne do ta luajmë këtë kompeticion të vetëdijshëm për forcën e fanellës blu dhe të popullit italian.
Ne do të nderojmë çdo minutë, do të zbresim në fushë pa e vrarë shumë mendjen, me ndjesinë e të qënurit adoleshentë që sapo kanë nisur të luajnë futboll, por edhe me përgjegjësinë e atyre që përfaqësojnë një nga shtetet më të forta dhe më të bukura në botë.
Të bashkuar nën një qiell të vetëm të kaltër, të veshur me fanellat e kaltra, le të bashkohemi në një kor të vetëm që bashkon më shumë se 60 milion italianë. Forza Azzurri“, përfundon letra emocionuese e Roberto Mancinit. /abcnews.al

