Komisioni Europian, sipas partisë Demokratike, ka rrëzuar ligjin special Rama-Fusha për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar dhe ndërtimin e kullave me paratë e drogës dhe korrupsionit, si një ligj korruptiv dhe klientelist.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, deklaroi se letra e KE-së për çështjen e Teatrit rrëzoi ligjin “Rama-Fusha”. Në një deklaratë nga selia blu, Tabaku theksoi se qeveria mbajti 4 ditë të fshehtë letrën e KE.
Jorida Tabaku: “Përgjigja e Komisionit Europian qartësisht i jep të drejtë opozitës për shqetësimet kryesore. Patëm të drejtë kur u shprehëm se ligji shkel parimin e konkurencës. Patëm të drejtë edhe kur akuzuam qeverinë se kishte një paracaktim dhe klient preferencial, si “Fusha shpk”. Prandaj dhe qeveria shpiku ligjin “FUSHA: për t’i grabitur tokën Teatrit Kombëtar dhe për t’ia dhuruar atë kësaj kompanie me qëllim ndërtimin e kullave me paratë e pista të drogës dhe korrupsionit”.
Tabaku pohoi se Partia Demokratike zotohet se do të luftojë për ta rrëzuar ligjin i cili shkatërron Teatrit Kombëtar për të pastruar paratë e pista të drogës.
“Por, sikundër edhe letra artikulon qartësisht, Komisioni Europian nuk mund të jetë një institucion gjykues për saktësinë e ligjit në fjalë në raport me Kushtetutën e vendit. Për një veprim të tillë është përgjegjëse Gjykata Kushtetuese, e cila mbahet sot e bllokuar nga mazhoranca pikërisht për të prodhuar ligje si Ligji Fusha dhe për të kënaqur orekset e oligarkëve apo pastruar paratë e kriminelëve dhe pushtetarëve”, tha Tabaku.
Në fund deputetja e PD theksoi se Përgjigja e Komisionit Europian u dha qytetarëve dhe opozitës fitoren e parë dhe mesazhi është i qartë, të bashkuar ne mund ta ndalim të keqen dhe ta rrëzojmë atë./abcnews.al