Kryeministri Edi Rama vizitoi sot Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të parë dëmet e shkaktuara nga termeti.
Ai shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirlliu që i bëri një pasqyrim të gjendjes. Sipas ministres ka patur disa dëme, ku kanë rënë mure në disa shërbime, si tek Kardiologjia, Djegie-Plastika, etj.
Ajo tha se po ndërhyhet në kushtet e emergjences dhe muret e reja po bëhen me gipse. Teksa shihte muret e rëna, Rama u vendos në rolin e ekspertit, duke u shprehur “O Zot, veprimtari inxhinierike armiqësore”.
Gjatë inspektimit të mureve, një nga mjeket që shoqëronin Ramën i tha se ato rregullime që janë prishur tani ishin bërë në kohën kur ministër ishte Petrit Vasili.
“Lëre Tit Vasilin tani, se Tit Vasili është shoku yt, jo i imi”, u përgjigj kryeministri.
Manastirlliu e njohu edhe me gjendjen në rrethe, duke deklaruar se janë dëmtuar plotësisht 5 qendra shëndetësore që janë jashtë përdorimit. Po kështu tha ajo “kemi evakuuar spitalin e Laçit dhe shërbimet i kemi transferuar në Lezhë”./abcnews.al