Lera: Lufta ndaj informalitetit është e vazhdueshme dhe do të zgjasë

schedule14:35 - 8 Maj, 2023

schedule 14:35 - 8 Maj, 2023

Drejtori i politikave fiskale në Ministrinë e Financave, Niko Lera thotë se lufta ndaj informalitetit është e vazhdueshme dhe do të zgjasë.

Në një intervistë për ABC News, Lera u shpreh se Shqipëria është një vend me sistem fiskal relativisht të ri dhe shtoi se është e rëndësishme edukimi i qytetarëve në lidhje me taksat.

“Lufta ndaj informalitetit do të jetë një luftë e vazhdueshme. Ajo nuk përfundion as brenda një viti, as brenda dy vitesh, as brenda pesë vitesh. Ne duhet të kuptojmë që jemi një vend në një sistem fiskal relativisht të ri dhe përvoja jonë, pajtimi i publikut në përgjithësi me tatimet nuk është në ato nivele që do të donim. Ne nuk jemi as Danimarka, as Gjermania dhe as vendet e tjera të zhvilluara që kanë qindra vjet që paguajnë taksa dhe ndjejnë që taksat e paguara, shkojnë në përfitim të shërbimeve publike. Pra, do të jetë një luftë e vazhdueshme.

Rëndësi ka që së pari ne të edukojmë sa më mirë publikun, që taksat që paguhen, janë për shërbime publike dhe nga ana tjetër, të kontrollojnë çdo lekë që harxhohet në formën e shpenzimit publik dhe të kemi një administratë që është e aftë dhe të gjurmojë elementët më të rëndësishëm ku kryhet evazioni. Është një betejë për edukimin e tatimpaguesve, kontrollin e shpenzimeve që tatimpaguesi ta kuptojë që të ardhurat e tij shkojnë në dobi të komunitetit dhe forcimin e punës së organeve përkatëse për identifikimin e evazionit”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!