Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj menjëherë sapo u mor në pyetje për rreth 8 orë në SPAK, i është bashkuar mbledhjes së Këshillit Bashkiak. Ai ka treguar se ishte në SPAK për të treguar punën e shkëlqyer të Bashkisë së Tiranës.
Sipas Veliajt, askush nuk ka çfarë t’i bëjë Tiranës, madje as ish-kryeministri Sali Berisha, i cili ka lepurin në barkë.
Ai ka theksuar se të gjithë ata që protestuan me molotov përpara bashkisë janë një imitim i dobët i ekipeve të futbollit të Tiranës.
“Ju kërkoj shumë ndjesë për vonesën në këtë mbledhje. Jam informuar, pas daljes nga SPAK, prej faktit që stani me lepuj ka rrethuar bashkinë se ju keni vendosur ta bëni mbledhjen online sepse nuk shtyjmë dot vendimet e rëndësishme, sociale për qytetin, per ata njerëz që presin ndihmën ekonomike, teksa mendoj se sot në SPAK, në vend që të më prisnin prokurorët, më pritën makinat nga 100 mijë euro të këtyre që kanë mbushur stanin me lepuj. E kuptoj që për ne është shumë e rëndësishme të japim ndihmën ekonomike, të japim bonusin e qirasë, të japim bursat për fëmijët, të japim shpërblimin për ekipin e Partizanit dhe të bëjmë disa emërtime që i kanë bere nder qytetit tonë, siç është titulli Qytetar Nderi per Ali Ahmetin, patriotit të madh nga Maqedonia e Veriut, shqiptarit me zemër të luftës, por edhe të punës dhe të paqes. Si dhe disa emërtime të tjera në qytet, që kane të bëjnë me figura shumë të rëndësishme, si Remzi Hoxha, të cilin SHIK-u i Sali Berishës e vrau dhe e la pa varr. Ky qytet sot duhet të kujtojë që Sali Berisha me lepurin në bark, – se stani me lepur është këtu jashte, por lepuri në bark është te rruga Mustafa Matohiti, – jo vetëm i vrau dhe i la pa varr, por nuk kërkoi kurrë ndjesë dhe ky qytet ka detyrim që t’i kujtojë.
Më mori kohë rruga për të qenë në SPAK, pata sot një mundësi të jashtëzakonshme për të qenë në SPAK, për të treguar punën e bashkisë dy kolegëve hetues dhe dola me një ndjesi krenarie që forca jonë po bën institucion. Pash një organizatë të disiplinuar, se SPAK-u nuk është i hasmit. Është staf i Republikës së Shqipërisë që me votën e PS ka arritur të krijojë një institucion për t’u pasur zili. Ka një staf të përgatitur me pyetjet që bënin, që ndanin shapin nga sheqeri, se çfarë ishte ajo pjesë që unë gjeta në bashki e Lul Bashës dhe nuk po e akuzoj atë se ishte projekt i Bankës Botërore, si u ndërpre ai projekt. Sigurisht, që të gjithë janë të qartë se ku është Tirana sot.
Po ua them qartë që Tirana e 94 nuk do të kthehet kurrë pas, jo në majë të Tiranës të shkojë ai që ka lepurin në barkë nuk ka çfarë ti bëj Tiranës. Këta çapaçulët me molotov që janë një imitim shumë i dobët i ultrasve të Tironës dhe Partizanit nuk i afrohen fare. Ftesa ime për ta është shkoni nga humbja në humbje, dhe nuk do të ndalen humbjet e tyre.
Jam krenar për punët dhe për të gjithë llumin kundër nesh se njerëzit e drejtë vlerësohen jo vetëm për punën që kanë bërë, por dhe sa kanë inspiruar armiqtë dhe fundërrinat“, tha ndër të tjera Veliaj./abcnews.al