Leksionet e Challandes: Shikoni çfarë i ndodhi Shqipërisë! Dakun e mora prej golave

schedule13:54 - 10 Nëntor, 2020

schedule 13:54 - 10 Nëntor, 2020

Bernard Challandes dhe Amir Rrahmani kanë dalë para mediave për të folur në lidhje me ndeshjen që Kosova luan nesër kundër Shqipërisë. Tekniku zviceran foli fillimisht në lidhje me situatën në skuadrën e tij. “Kemi lojtarë që po luajnë në mënyrë konstante, por kemi edhe lojtarë që pothuajse nuk po luajnë fare.

Kjo e bën pak të vështirë për të sinkronizuar ekipin, por mendoj se nëpër të njëjtat vështirësi është duke kaluar edhe Kombëtarja e Shqipërisë. Sidoqoftë, duhet të fokusohemi që të marrim më të mirën dhe të kryejmë punën tonë”, tha fillimisht Challandes.

Në lidhje me rivalin, zvicerani shtoi: “Sa i përket Shqipërisë, mund të them se ka vërtetë ekip të mirë dhe më herët ka pasur një sukses goxha të madh. Por nganjëherë suksesi është edhe i rrezikshëm dhe këtë ua kam thënë edhe lojtarëve të mi, pasi kjo ka ndodhur me Shqipërinë”.

 

“E kam të qartë se disa prej tyre nuk do të jenë në këtë takim, por prapëseprapë Shqipëria mbetet një kundërshtar shumë i fortë dhe besoj që është kundërshtari i duhur për neve në këtë periudhë. Për ndeshjen me Shqipërinë i kam në dispozicion 21 futbollistë dhe kjo është e mjaftueshme.

Do të bëjmë përzgjedhjen e lojtarëve në bazë të minutave që kanë me klubet e tyre. Nëse kemi probleme tjera, atëherë do ta shohim nëse kemi nevojë për lojtarë të tjerë. Do ta shohim situatën e Paçaradës, nëse mund ta arrijmë një marrëveshje me regjionin e Hamburgut që ta lëshojë atë dhe të mos karantinohet kur të kthehet”.

 

“Daku ka luajtur ndeshje të mira, është i ri dhe ka shënuar shumë gola. Kështu që më duhej ta ftoja. Për mua është e rëndësishme të ftoj lojtarët më të mirë, jo për t’u dhënë kënaqësi. Nuk kemi shënuar shumë gola dhe ai ka shënuar, kjo është arsyeja që e kemi ftuar. Dua të kem konkurrencë sa më shumë në ekip”, tha Challandes.

Më pas e mori fjalën Amir Rrahmani: “Jo vetëm dy ndeshjet me Slloveninë dhe Moldavinë, por edhe më Shqipërinë, do të jenë një mundësi që të përgatitemi sa më mirë për kualifikueset e Botërorit. Jemi në vazot që do të na bien kundërshtarë më të fortë”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!